Egoja Politike në komunën e Bujanocit!
Jo rrallë herë ndodhë që personat e zgjedhur, të emëruar dhe të caktuar harrojnë se çdo fillim ka dhe një mbarim. Siç duket ata në fillim i kaplon një mashtrim optik, fillon t’iu hyjë vetja në qejf.
Në ditët e para të qeverisjes një ndër punët më serioze me të cilat merren janë shfletimi i rrjeteve sociale dhe shkrepja e një fotografie nga kolltuku i ri e më pas për ta postuar me nxitim e për disa ditë do të jetë i vetmi preokupim. Pas disa qindra pëlqimeve dhe shpërndarjeve si duket meraku, entuziazmi dhe adrenalina vetëm sa rriten sikur për herë të parë gjendesh në tobogan.
Pas kalimit të këtij stadi, fillon stadi i dytë përcjella e modës dhe rritja e pasionit për të qenë në hapë me trendin, fillojnë takimet në dreka e darka zyrtare, kështu që vetë pëlqimi sa vjen e shtohet, bile para pasqyrës vetja “zotërote” i duket.
Në stadin e tretë “zotërotët” nuk i njohin, militantët, përkrahësit, simpatizantët e dikurshëm, ia mbyllin dyert e zyrave prej aty mundohen të krijojnë tobogan me qëllim që të largohen sa më shpejt që mos t’i shoh e mos t’i takojë askush, po u takuan rastësisht e i përshëndesin për dore “zotërotët” po patën mundësi duart do i dërgonin në pastrim kimik për t’i dezinfektuar. Fatkeqësisht “zotërotët fillojnë t’i etiketojnë, njollosin me emër fyes e nënçmues ata të cilët ia mundësuan të ulen në atë kolltukë, por fatmirësisht fati i tyre është i lidhur drejtpërdrejt nga vullneti dhe verdikti i atyre.
Në stadin e katërt shushurimën e verdiktit popullor tani më po e dëgjojnë, se gjykatësit suprem (popullit) koha po i vjen, që vullnetin për vendimin përfundimtar do e shprehë, vendim në të cilin apelimi nuk është i lejueshëm. Në këtë stad si duket “zotërotëve” i u bie ndërmend se ky popull nuk është aq i mallkuar, aq i paaftë, aq i pa shpresë dhe i aq pa dijshëm sa për të nxjerrë vendim të gabuar, e për të iu zgjatur vetëpëlqimin “zotërotëve” edhe më tutje.
Kështu që kush do që të jetë, i zgjedhur i emëruar, apo i caktuar duhet të ketë parasysh vendimin popullor dhe thënien e famshme të Alija Izetbegoviqit “Nëse vini në pushtet ose iu ofrojnë ndonjë post, keni kujdes nga sjelljet tuaja. Mos u bëni mendjemëdhenj, mos t’iu hyjë vetja në qejf. Mos merrni gjërat të cilat nuk iu përkasin juve, ndihmoni të dobëtit dhe përmbahuni rregullave të moralit. Mos harroni që çdo pushteti i vjen fundi”.
E këtë fund më së miri e përshkruan Ali Asllani në poezinë e tij Hakërrim “Koha dridhet e përdridhet, do vij' dita që do zgjidhet dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jashtë' do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë!”.
Shkruar nga: Fejzi Beqiri- Bujanoc
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ejzi-beqiri.jpg): failed to open stream: No such file or directory