Drejtoria e shkollës: Kujdes më lajmet e publikuara rreth aksidentit të maturantëve në Bujanoc
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc përmes një letre të publikuar ka njoftuar për gjendjen e nxënësve maturantë që u aksidentuan më 16 qershor në magjistralen Bujanoc- Gjilan në afërsi të fshatit të Turi.
“Të nderuar nxënës, prindër, profesorë e në veçanti maturantë, në radhë të parë ju njoftoj se gjendja shëndetësore e Amarit dhe Vjollcës është duke u përmirësuar vazhdimisht. Përkujdesja e ekipit mjekësor të Nishit është shumë e kënaqshme. Falënderoj edhe maturantët e shkollës, prindërit dhe personelin e shkollës me solidarizimin që patën me tre maturantët e lënduar”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së shkollës.
Gjithashtu përmes njoftimit luten portalet lokale dhe nacionale që të jenë të kujdesshëm për publikimin e të dhënave për gjendjen shëndetësore të Amarit dhe Vjollcës dhe se paraprakisht të konfirmojnë lajmin me anëtarët e familjes apo organet e shkollës.
Nga aksidenti i ndodhur me makinë dy maturantë janë dërguar në spitalin e Nishit të cilët kanë lëndime të rënda trupore ndërsa njëri prej tyre është i shtrirë në qendrën spitalore të Vrajës./Titulli.com/