Dialogu, plani franko-gjerman dhe Asociacioni: Vizita e këshilltarit amerikan Chollet në Kosovë e Serbi
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, më 11 dhe 12 janar vizitoi Kosovën dhe Serbinë në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis dy vendeve, shkruan Gazeta Sinjali.
Chollet e nisi vizitën fillimisht në Kosovë ku u takua me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.
Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Procesi i dialogut, plani evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Cholletit.
Kështu u tha në njoftimin për media të 11 janarit të Zyrës së Kryeministrit.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, u tha në njoftim.
Chollet gjatë bashkëbisedimit me gazetarë në Prishtinë tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Ai shtoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës.
“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, tha ai.
Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.
Chollet tha gjithashtu se mesazhi i tyre për Prishtinën dhe Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës.
Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se Uashingtoni do të donte të shpenzonte më pak energji në menaxhimin e krizave.
I pyetur për takimin e radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai nuk dha datë por tha ky takim duhet të ndodhë “sa më shpejt”.
Chollet tha se ajo që ka dëgjuar gjatë takimeve në Prishtinë është “një dëshirë e fortë e Qeverisë së Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë domethënëse në këto biseda”, dhe shtoi se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar në lehtësimin e tyre.
Zyrtari amerikan takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Në rrjetin social në Facebook, nënkryetar i kësaj partie, Dalibor Jevtiq, tha se në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë.
Vizita e Chollet në Kosovë vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Pas Kosovës, zyrtari i lartë amerikan më 12 janar qëndroi në Serbi.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, një ditë para vizitës së Chollet në Beograd, tha se premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe do të nisë në janar, pritet të jetë “në tavolinën” e bisedimeve.
“Kjo do të ishte shumë mirë, do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, tha ajo për televizion serb, Pink.
Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/hollet-ks-srb.jpg): failed to open stream: No such file or directory