Cakaj: Qeveria e Shqipërisë do të financojë hapjen e zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj përmes një njoftimi në facebook thotë se Qeveria e Shqipërisë do ta financojë hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.
Ky është postimi i plotë i Gent Cakaj në facebook:
Edhe një punë fort domethënëse për Luginën e Preshevës
Pas mbështetjes financiare për shpërndarjen falas të materialeve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, Qeveria e Shqipërisë tani ka vendosur të ndajë edhe mjetet e nevojshme financiare për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë.
Shqiptarët e Medvegjës, sot, kanë nevojë të jashtëzakonshme për praninë e Këshillit dhe mbështetjen e Shqipërisë, veçanërisht në përballjen e tyre me çështjen e pasivizimit të adresave dhe para sfidës madhore për ruajtjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Ndaj, përballë këtyre sfidave historike të shqiptarëve të Medvegjës, ne duhet të marrim përgjegjësitë politike për t'i mbështetur edhe institucionalisht ata.
Mbështetja e Shqipërisë për hapjen e zyrave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë është e domosdoshme, por e pamjaftueshme. Kjo shënon thjesht fillimin e një pune më të thellë e sistematike për ruajtjen e të drejtave e mbështetjen e fortë edhe për shqiptarët e Medvegjës..