Lokale
Bujanoc: Në çfarë gjendje u gjet komuna ? Sa ishte borxhi ? A do të prishet koalicioni ?... (video)
Ajo që flitej se ndërmarrjet publike në komunën e Bujanocit kanë abuzuar me financat duke punuar me borxhe doli të jetë e vërtet. I pari i komunës vërtetoi se me ardhjen e tij në postin e kryetarit ka gjetur një borxh prej 3 milionë eurove.
Përveç këtij borxhi, kryetari i atëhershëm Shaip Kamberi me administratën e tij, në buxhetin e komunës së Bujanocit kishin lënë vetëm 500 mijë dinarë (rreth 5 mijë euro).
Këtë e konfirmoi gjatë emisionit të djeshëm në TV Bujanoc, kryetari i rizgjedhur Nagip Arifi. Ai me këtë rast tha se borxhi prej 3 milionë eurove ishte krijuar nga ndërmarrjet publike si Drejtorati për Ndërtim, Komunalia dhe Radio Televizioni i Bujanocit.
Arifi gjatë këtij emisioni tha se ka ftuar në takim drejtorët e ndërmarrjeve të sipërpërmendura, mirëpo ata nuk iu kanë përgjigjur ftesës.
Pas marrjes së detyrës Arifi ka bërë një rezyme të punës së këtyre ndërmarrjeve, dhe siç tha ai, menjëherë ka filluar punimet.
“Menjëherë iu qasëm punës pasi qytetarët e komunës së Bujanocit, para së gjithash ata shqiptarë, na votuan për ta përmirësuar gjendjen dhe në këtë drejtim jemi duke punuar . Është herët vetëm 90 ditë nga ardhja në pushtet, mirëpo rezultatet janë duke u parë në terren. Tash dihet, respektohet orari i punës në administratën komunale, por edhe në të gjitha organizatat publike”, tha me këtë rast Arifi.
Ai po ashtu foli edhe për largimin nga puna të punësuarve në administratë dhe ndërmarrje publike, të cilat i mohoi, duke thënë se janë larguar vetëm ata punëtorë të cilëve i ka skaduar kontrata e punës.
“Deri në këto momente nuk është e vërtetë se kemi larguar punëtorë nga administrata komunale, janë larguar nga puna vetëm ata që kanë pas një kontratë të nënshkruar për një periudhë të caktuar”, ka thënë Arifi duke shtuar se pushteti i kaluar për një ditë ka punësuar 17 punëtorë, siç ishte rasti në Drejtoratin për Ndërtim.
“Kemi rastin kur në momenti që është bërë ndryshimi në pushtetin lokal ata në një kohë shumë të shkurtër, në afat prej një jave kanë lëshuar vendime. Në Drejtoratin për Ndërtim për një ditë 17 punëtorëve iu kanë lëshuar vendimet në kohë të pacaktuar dhe është rritë numri i punëtorëve për 100 % në një organizatë publike ku nuk ka nevojë të jenë ata punëtorë”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk është kundër punësimit, mirëpo ai të bëhet në organizatat prodhuese qoftë private apo shoqërore, por jo publike, sepse nëse ne duhet të mbajmë këtë punëtorë të cilët nuk ka nevojë aty, atëherë patjetër duhet të rrisim taksat komunale.
Gjatë emisionit televiziv, Arifi u ndalë edhe te koalicioni i formuar me serbët, ku zërat për prishje të saj i quajti të pavërteta. Me këtë rast ai bëri edhe njëherë ftesë për partitë shqiptare që të përfshihen në koalicion, mirëpo për dallim prej tri herave tjera, kësaj here tha se ka vend vetëm për disa.
Ai po ashtu tha se një numër i konsiderueshëm i projekteve që janë realizuar nga kryetari i mëparshëm Shaip Kamberi nuk janë paguar.
“Borxhi i mbetur nga asfaltimi i disa rrugëve në Bujanoc, vendosjen e disa trafove dhe projekte tjera jemi duke e bërë pagesën tani, pasi ato qeverisja e mëhershme i ka punuar me borxhe”, tha ndër të tjera Arifi./Titulli.com/
http://youtu.be/v64C_BGbO_Qcopy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/09/komuna-Bujanocit.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!