Bujanoc: Kthehet në shtëpi, por shtëpi nuk ka! (foto & video)
Kjo është një histori e dhimbshme e familjes që është kthyer në vatrat stërgjyshore, por tani pas 15 viteve duhet të fillojë gjithçka nga e para duke nisur nga shtëpia pothuajse e rrafshuar për tokë, ndërsa mjetet për një rinisje mungojnë.Nga 7 maji i këtij viti kryefamiljari Zjadin Selimi është duke jetuar në një fshatë në brendësi të Malësisë së Bujanocit, në Zarbicë. Ai ka filluar gjithçka nga zero pas kthimit në shtëpinë e tij që tashmë nuk e ka.
Jetoi për 15 vite në Gjilan të Kosovës, mirëpo nga pamundësia për të përballuar jetën në këtë qytet pa të ardhura të rregullta, u kthye në shtëpinë-rrënojë.
Takimi jonë me të zotin e pronës në këtë vend malor fillon në gjysmë të rrugës, aty ku edhe vetura nuk mund të vazhdonte më. Gazetari i portalit informativ Titulli dhe personazhi i kësaj historie prekëse vazhduan me një udhëtim për gati një orë në këmbë deri në pronën e tij.
“Rruga ku e lamë veturën që nuk mundi të ngjitej më e deri në shtëpinë time është rreth 40 minuta, përndryshe për të zbritur në shitoren më të afërt që është në fshatin Muhoc më duhen dy orë ecje në një drejtim”, thotë Zjadin Selimi, baba i tetë fëmijëve, gjashtë prej të cilëve të martuar.
Rruga nuk kalon shpejt, por ajo që e bënë të dukej më e lehtë ishte biseda me vendasin rreth fshatit të tij tashmë të heshtur.
Dikur me 324 shtëpi të banuara, sipas bashkëbiseduesit tani jetojnë vetëm 6 familje. Rreth rrugës që përshkuam mbi 10 shtëpi ishin boshe, e disa prej të cilave e kishin fatin e njëjtë sikurse të Zjadinit, të shembura e të pabanueshme.
“Ja kjo është shtëpia ime, e shkatërruar totalisht, këtu është plema me një podrum të vogël, përkohësisht jam në shtëpi të vëllaut duke ndejt por edhe ajo është e dëmtume. E Kam riparuar pak sa për me ndejt deri sa ta bajë një zgjidhje tjetër”, këto janë fjalët e para të zotit të shtëpisë me të arritur në pronën e tij.
Ai vazhdon të na sqarojë situatën e vështirë ekonomike, përderisa gazetari vëren se familja në fjalë është duke jetuar në një gjendje shumë të rëndë.
“Këtu e kam ndu një pod e kam mbush me lloc i kam ndu dritaret, ndërsa këtë pjesë më duhet me muros, i kam vendos shtylla. Për momentin jam duke nejt në podrum të shtëpisë së vëllaut derisa të kositi të bajë ndonjë zgjidhje”.
Zjadini për të qëndruar në podrumin e shtëpisë së vëllaut është dashur të bëjë edhe investim në instalim të kabllove të energjisë elektrike, pasi ato ishin vjedhur.
Ajo që vërehej në sytë e këtij malësori është optimizmi. “Nuk kamë ardh për të lënë edhe njeherë këtë tokë, këtu e shoh veten të plakur” shprehet ai, duke sqaruan se nga vendlindja ishin shpërngulur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku në këto vendbanime shqiptare të malësisë mbretëronte një pasiguri e madhe.
Zjadini thekson se ka nevojë për gjithçka, mirëpo ajo që do t’ia hapte mundësitë për të filluar jetën është të ketë bagëti, sidomos një lopë, nga e cila do të arrinte të bënte bylmete të ndryshme, e me kohën edhe të rriste kopenë meqë kishte në shfrytëzim një stallë kafshësh.
Në fund të muajit qershor 50 vjeçari i është drejtuar edhe Këshillit Komunal të Bujanocit për një ndihmë materiale, përgjigjen e së cilës ende nuk e ka marrë.
Gjendja e tij e rëndë ekonomike nuk e bënë të varfër në shpirt, por të kundërtën.
“Urdhëro një shishe ujë zabelishte, këtë e kamë për momentin ta japi si mysafir i imi”, ishin këto fjalët e kryefamiljarit drejtuar gazetarit, ujë i cili burimin e kishte nga malet aty pranë.
Zjadinin bujar me bashkëshorten i lamë në Zarbicë, në podrumin e shtëpisë së vëllaut, përderisa të veten e kanë të shkatërruar.
Ndihmat në këtë rast do të ishin më se të nevojshme, një shtytje për një familje punëtore dhe të guximshme./Titulli.com/
Shkrimet për sensibilizimin e opinionit të gjerë me situatën e rëndë që mbretëron në familjet e Luginës, gjatë muajit të Ramazanit realizohen me vetiniciativën e portalit informativ Titulli. Personat që dëshirojnë të ndihmojnë familjen Selimi mund të kontaktojnë me kryefamiljarin në këtë numër telefoni: + 381 62 86 42 446