Lokale
Beqiri: Lapidari s’është provokim
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Galip Beqiri në një intervistë për “Zërin” ka thënë se ngritja e tensioneve në Kosovën Lindore nuk lidhet kryekëput më lapidarin e ngritur në Preshevë.
Sipas tij, lapidare ka pasur edhe para 28 nëntorit, mirëpo pllaka përkujtimore e ngritur në oborrin e Komunës së Preshevës është vetëm një pretekst që Beogradi zyrtar dëshiron të krijojë tensione në tri komunat e banuara me shqiptarë.
Ai ka thënë se me kërcënimet e fundit, Qeveria e Serbisë dëshiron ta zhvendosë vëmendjen nga veriu i Kosovës, i cila tashmë dihet se do të diskutohet në kuadër të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, në Luginën e Preshevës për qëllime të caktuara politike dhe strategjike. Tensionimit të situatës në rajon, sipas tij, gjithashtu i janë shtuar edhe forcat e xhandarmërisë serbe të cilat janë prezente në numër të madh dhe shëtisin nëpër vendbanimet shqiptare.
“Lapidari në Preshevë është vetëm një pretekst që Serbia dëshiron të involvohet rreth çështjes së veriut të Kosovës. Po ashtu ajo dëshiron ta zhvendosë vëmendjen nga veriu në Luginë....kryeministri Daçiq dëshiron ta ketë nën kontroll situatën në Luginë të Preshevës e cila konsiderohet si element destabilizues i shteti serb”, tha ai.
Por nëse pushteti serb me dhunë e heq përmendoren e UÇPMB-së, nuk do të ketë reagime me forcë, konsideron Beqiri. “Ne jemi deklaruar që nuk kemi forcë që dhunën ta ndalim me dhunë, sepse shteti është i fuqishëm, mirëpo faktori ndërkombëtar nuk duhet ta lejojë që lapidari të hiqet me dhunë”, tha ai.
Dhe nëse vjen deri tek heqja me dhunë e lapidarit, shqiptarët, sipas Beqirit, do të kërkojnë që edhe përmendorja e ngritur nga xhandarmëria serbe mbi fshatin Lluçan të hiqet, sepse “nuk e ka vendin aty”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdon të këmbëngulë se lapidari në Preshevë nuk është provokim për shtetin serb, ashtu siç po cilësohet. “Në fakt ky nuk është provokim sepse Presheva është e banuar 95 për qind me shqiptarë. Prandaj nuk qëndron kjo se liderët politikë apo OVL-ja ka bërë provokim ndaj shtetit, por pikërisht shteti ka dashur ta bëjë provokimin sepse krahas lapidarit të ngritur në Preshevë, Qeveria Serbe ka marrë vendim që të ngritë lapidar për ushtarët dhe policët serbë të vrarë në kohën e UÇPMB-së mbi fshatin Lluçan, një vendbanim qind për qind i banuar me shqiptarë, në një pikë kyçe ku duket Bujanoci dhe Vranja nga atje”, ka thënë ai.
Ngritja e përmendores serbe në Lluçan, sipas tij, edhe më tepër i ngre tensionet sepse për ngritjen e saj nuk pyeten as banorët e asaj ane e as pushteti lokal, prandaj këto dy çështje kanë filluar të reflektohen tek banorët e Luginës së Preshevës. Madje përmendorja e policëve serbë të vrarë nga guerilët e UÇPMB-së është e ndërtuar në formë të kryqit, që është provokim edhe më i madh për popullsinë shqiptare që i përket konfesionit islam.
Beriqi kërkon sërish që çështja e Luginës së Preshevës të shtrohet në negociatat Prishtinë-Beograd. “Ne kemi kërkuar që në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi ta kemi edhe ne, një përfaqësues tonin atje. Po ashtu kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që çështjen e Luginës ta shtrojë në tavolinë në bisedimet me Beogradin, krahas çështjes së veriut. Beqiri ka thënë se janë përcaktuar për principin e reciprocitetit. “Edhe partitë politike por edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar është pajtuar madje edhe kemi kërkuar që të ketë reciprocitet, sepse principi i reciprocitetit do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai, duke kërkuar edhe bashkësia ndërkombëtare që të mos përdorë standarde të dyfishta për Luginën dhe veriun.
Së fundi, Beqiri ka thënë se shumë shpejt Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë, do ta provokojë Serbinë që t’u lejohet vizita e udhëheqësve së Kosovës, por edhe të Shqipërisë në Luginë./Titulli.com/
_____________________________________________________________________________________________
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=hOcdxrmw904copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/01/galip-beqiri.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!