BE i përgjigjet presidentit Thaçi për Luginën e Preshevës
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express më 22 maj ka dërguar pyetje në adresë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit
Në përgjigjen e zëdhënëses së Mogherinit, Maja Kocijancic, për Gazetën Express që ka ardhur sot, thuhet se marrëveshja finale u përket Kosovës dhe Serbisë dhe nuk mund të imponohet nga jashtë, megjithatë thekson se duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përkrahet nga shtetet e rajonit.
“Përmbajtja e një marrëveshje të detyrueshme ligjore që trajton të gjitha çështjet e pazgjidhura, u takon palëve që ta përcaktojnë. Është marrëveshja e tyre, një zgjidhje nuk mund të imponohet nga jashtë. Por përmbajtja duhet të jetë plotësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar, EU acquis ( Politikën e BE-së për fqinjësi të mirë dhe negociatat për zgjerim), dhe të mbështetet nga rajoni, duke pasur gjithmonë në mendje thelbin e prosperitetit dhe progresit drejt rrugës përkatëse evropiane”, ka thënë Koacijancic për Gazetën Express.
Nga BE thonë që marrëveshja për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sjellë avantazhe konkrete për të gjithë qytetarët e rajonit dhe që nuk duhet të ketë vonesa të mëtejme për arritjen e saj, pasi që konstatojnë që është vonuar shumë.
“Ju e dini pozicionin tonë mbi rezultatin e negociatave dhe çfarë marrëveshje ligjore detyruese për normalizimin e plotë duhet sipas mendimit tonë. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sjellë avantazhe konkrete për qytetarët anembanë rajoni”, thekson Kocijancic.
Ajo thotë se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vonuar shumë, dhe se duhet parë marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë si një pikë kthese për pajtim dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve të rajonit.
Zëdhënësja e Mogherinit thotë se përveç përfitimeve politike, arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi do të ndikonte edhe në hapjen e rrugës për investime, punësimit dhe rritjes ekonomike.
“BE-ja do të vazhdojë të lehtësimin dhe mbështetjen. Ajo që është e nevojshme është puna e mëtejshme pa vonesa, për arritjen e marrëveshjes që do të sjellë përfitime për qytetarët e rajonit”, thekson Kocijancic.
E pyetur rreth pritjeve të BE-së nga Samiti i Parisit dhe për atë nëse kanë koordinim me Gjermaninë dhe Francë për një takim të tillë në Francë, Kocijancic thotë se mirëpresin çfarëdo mbështetje për lehtësimin e dialogut.
“Ne mirëpresim çdo angazhim në mbështetje të BE-së për lehtësimin e dialogut. Me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Beogradi dhe Prishtina kanë vendosur të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre, të përpunojnë dallimet e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme. Këto takime mund të jenë një mundësi e mirë për rajonin, për të qëndruar pas çdo përpjekje për mbështetje dhe lehtësim , në interesat ë BE-së si dhe të të gjithë rajonit”, shprehet zëdhënësja e BE-së.
Gazeta Express është interesuar edhe rreth mundësisë së një takimi ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me dy presidentët, Thaçi e Aleksander Vuçiq, para Samitit të Parisit, por nuk ka marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Kocijancic për këtë çështje ka thënë se Mogherini është në kontakt të vazhdueshëm me të dy palët, duke ripërsëritur edhe një herë që Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksën ndaj produkteve të me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Përfaqësuesja e Lartë është në kontakt me të dyja palët. Puna për dialog vazhdon dhe ne mbajmë konsultime të rregullta me të dyja palët. Për rifillimin e plotë të bisedimeve, qeveria e Kosovës duhet të pezullojë tarifa”, shprehet Kocijancic.
Derisa flet për pezullimin e taksës, zëdhënësja e BE-së thotë se edhe Serbia duhet të bëjë punën e saj, sidomos në raportet ndërkombëtare, për të ruajtur një mjedis të favorshëm për Dialog.
“Serbia gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, për të ruajtur një mjedis të favorshëm për Dialogun”, ka përfunduar zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kocijancic.
Një lëvizje e mundshme e kufijve është kundërshtuar nga të gjitha vendet e rajonit dhe nga të gjithë diplomatët e huaj të cilët kanë shërbyer në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një takim të përbashkët që kanë pasur në janar të këtij viti, kanë thënë se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të cenojë sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Korrigjimin e kufijve e ka kundërshtuar edhe presidenti i sapo zgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke thënë se nuk i besohet se në shekullin 21 mund të bisedohet për diçka të tillë.
“Ide më të keqe se kjo ide nuk kam dëgjuar. Po të ishte e mundur që kjo çështje të zgjidhej në tavolinë, deri tash do të zgjidhej. Mbështes me të dy duart qëndrimin e Bashkimit Evropian që mbështet zgjidhjen për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë që nuk e destabilizon rajonin”, kishte deklaruar Pendarovski.
Kundër prekjes së kufijve ka dalë edhe kryeministri i Bosnjës dhe Herecegovinës, Denis Zvizidic. Këtë gjë ai e kishte thënë edhe në Samitin e Berlinit, gjë për të cilën ishte nervozuar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
“Unë kam deklaruar se arkitektura e kufijve në Ballkanin Perëndimor ka përfunduar dhe është e pandryshueshme, dhe kjo është edhe deklarata e kancelares Angela Merkel të cilën e ka dhënë në gusht të vitit 2018. Si kancelarja Merkel dhe unë, jemi ende duke qëndruar në të njëjtin qëndrim, gjë që nuk i konvenon Vuçiqit”, kishte thënë Zvizidic për ‘Slobodna Bosna’.
Se ideja për korrigjim të kufijve nuk është e mirë e ka thënë edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic.
Ai ka thënë se pavarësisht se duket një ide tërheqëse, ajo mund ta komplikojë situatën dhe stabilitetin e rajonit.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/haci-mogherini.jpg): failed to open stream: No such file or directory