Basha në Këshillin e Evropës: Serbia vazhdon diskriminimin etnik ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se duhet hetim ndërkombëtar për parregullsitë e evidentuara në zgjedhjet në Serbi.
Në fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Basha përmendi blerjet e votave si një nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve.
Sipas Bashës shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve.
“Shkelje masive dhe parregullsi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet nga raporti paraprak i OSBE-së, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtetit, krijoi kushte të pabarabarta. Konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë. Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumenteve, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave. Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullsitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative. Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Sipas Bashës, këto parregullësi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.
“Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE”.
Basha theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i kërcënuar nga autokratët populistë, ndërsa akuzoi Serbinë se saboton sigurinë në Ballkan me strategji nga Moska.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/asha-.jpg): failed to open stream: No such file or directory