Lokale
Arrihet marrëveshja, pritet zyrtarizimi
Koalicionit për qeverisje me Komunën e Bujanocit do ti bashkohen edhe dy këshilltarë të Partisë Përparimtare Serbe
Bisedimet të cilat u zhvilluan gjatë kësaj jave në mes të liderëve të partive serbe me ata të Partisë Përparimtare Serbe (PPS), kanë dhënë rezultatet e para.
Siç ka arritur të mësojë Titulli nga burime të sigurta brenda subjekteve serbe, marrëveshja në parim është arritur ndërsa mediumi ynë ka arritur të mësojë edhe disa nga postet që iu kanë dhënë PPS-së.
Partitë serbe që janë në pushtet nga hisja e tyre kanë ndarë nga 1 e disa nga dy poste për partinë e kryetarit Tomisllav Nikolliq.
Me këtë marrëveshje që pritet të zyrtarizohet ditëve në vijim, PPS do të menaxhojë Çerdhen e Fëmijëve, do të ketë një anëtarë në Këshillin Komunal, deri në dy kryetarë të këshillave drejtuese të ndërmarrjeve publike dhe anëtarë në këto këshilla, ndërsa gjatë javës së ardhshme pritet ti jepen edhe disa resorë tjerë në mënyrë që edhe të përfundohen bisedimet.
Vlen theksuar se në këto bisedime nuk ka qenë e përfshirë edhe Partia Demokratike e Nagip Arifit, dhe se postet e ndara për PPS-në janë nga 40 për qindëshi i partive serbe dhe se këtij subjekti serb nuk i është dhënë asnjë post nga 60 për qindëshi që i takon shqiptarëve.
Këtë e konfirmoi për Titullin edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Nexhat Behluli.
Behluli, në cilësinë e udhëheqësi të shërbimit për informim të PD-së deklaroi për Titullin se janë në dijeni për këto bisedime mes bllokut serb dhe PPS-së, mirëpo subjekti i tij nuk është i përfshirë në këto bisedime.
“Kjo nuk është çështje e jona por e vet subjekteve serbe. Ne kemi marrëveshje të qartë për ndarje të pushtetit në Bujanoc , 60 për qind me 40 për qind në favor të shqiptarëve”, tha Behluli.
Sipas tij kjo nuk do të ndryshojë as edhe për një post të rëndësisë së vogël, ndërsa sa i përket posteve të serbëve në pakon e 40 për qindëshit, ata e kanë të drejtën për ta ndarë me kënd të dëshirojnë.
Zyrtari i PD-së tha se derisa sa serbët po arrijnë marrëveshje për ndarje të pushtetit, pse të mos ndodhë edhe në mes të shqiptarëve?
“Kjo që po ndodhë mes partive serbe mund ti motivojë edhe partitë opozitare shqiptare që ndonjëra ti bashkohet qeverisje lokale për çka PD është e gatshme të ndajë nga 60 për qindëshi i saj”, përfundoi Behluli.
Kuvendi Komunal i Bujanocit pritet që në fund të këtij muaji të mbajë edhe seancën e radhës, ndërsa PPS në këtë mbledhje pritet të jetë pjesë e qeverisjes lokale./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!