Arifi dhe Kamberi pse i shpallën luftë politike njëri-tjetrit, asgjë të mirë nuk sollën në Luginë të Preshevës?
Lokale

Arifi dhe Kamberi pse i shpallën luftë politike njëri-tjetrit, asgjë të mirë nuk sollën në Luginë të Preshevës?

10.Mar.2022 07:44
0

Zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi kanë qenë të parat, dhe ndoshta do të jenë të vetmet kur subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë qenë të unifikuar në një listë zgjedhore. Përfaqësuesit e këtyre partive i kanë harruar problemet me Serbinë dhe kanë filluar luftën e votave për zgjedhjet e 3 prillit

Partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës nuk do të jenë të bashkuara në zgjedhjet nacionale të 3 prillit në Serbi. Udhëheqësit e këtyre partive kanë vendosur që në këto zgjedhje të shkojnë me dy lista zgjedhore. Edhe pas disa javësh bisedime, ata nuk kanë mundur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për një listë të unifikuar.

Në këtë mënyrë, kanë shkelur marrëveshjen e Tiranës, ku në vitin 2020 kishin nënshkruar një dokument për një listë të përbashkët shqiptare.

Përfaqësuesit e dy kampeve politike kanë fajësuar njëri-tjetrin për mosrespektimin e kësaj marrëveshjeje.

Kryetari i Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se më nuk ka asnjë mundësi që shqiptarët të jenë në një listë.

“Jo, nuk është më e mundshme, sepse tashmë listat janë vetëm në procedura. Kjo si rrjedhojë e asaj që kemi pasur katër javë diskutime dhe negociata. Si konkluzion nga këto negociata, ka rrjedhë që njëra nga partitë e spektrit politik shqiptar këtu në Luginë, ka thyer marrëveshjen e vitit 2020, e cila ka qenë një standard me kritere të plota se si ndërtohet lista. Kjo është partia e ish-deputetit Kamberi, e cila nuk ka dashur t’i përmbahet kësaj marrëveshje. Për këtë arsye, edhe nuk kemi arritur ta bëjmë atë që e kemi bërë në vitin 2020”, - ka thënë Arifi.

Ai ka fajësuar drejtpërdrejt ish-deputetin Shaip Kamberi për përçarje në mes të shqiptarëve të kësaj pjese.

“Përplasja në mes partive politike nuk ka ekzistuar, por partia e ish-deputetit Kamberi ka kontribuar në maksimum, pa ndonjë rezervë, në drejtim të shpërbërjes së marrëveshjes së Tiranës, ku partitë politike kishin arritur marrëveshjen që të garojmë së bashku”, - ka deklaruar ai, duke shtuar se shqiptarët atje rrezikojnë të përçahen edhe në nivelin lokal.

“Kamberi është një person që ka kontribuar që me listën e vet tani ta përçajë Preshevën dhe Bujanocin, duke i marrë me zor në koalicion dy parti, të cilat i ka kërcënuar me koalicion lokal. Tash e ka përçarë Bujanocin dhe Preshevën, kështu nuk ka përplasje, por ka fakte të cilat flasin kundër Kamberit. Për neve shqiptarët në Luginë të Preshevës, është  e çuditshme  se çka është duke bërë partia e ish-deputetit Kamberi dhe si ka kontribuar ai në direfecimin dhe përçarjen e partive shqiptare në Luginë”, - ka deklaruar Arifi.

Këto akuza i ka hedhur poshtë, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi.

Ai ka treguar për gazetën Nacionale arsyet e mosbashkëpunimit me Alternativen për Ndryshim.

“Ne patëm qëndrime të kundërta rreth çështjes esenciale me Alternativën për Ndryshim, të cilës më vonë iu bashkua edhe grupi qytetar ‘Lëvizja për reforma’, rreth konceptit politik që duhet ndjekur pas zgjedhjeve. Alternativa dhe grupi qytetar Lëvizja për Reforma u deklaruan se janë për një politikë ‘pragmatike’ me Beogradin, pa sqaruar qartë se çfarë nënkupton ky pragmatizëm. Ne jemi për të biseduar me autoritetet qendrore, por vetëm për çështjet ekzistenciale të shqiptarëve që janë të përmendura në kuadër të Planit shtatë-pikësh, e kurrsesi për një pragmatizëm që nënkupton disa benefite individuale apo grupore që mund të ofrojë qeveria e re”, - ka thënë Kamberi.

Sipas tij, rivalët politikë nuk i kanë qartësuar sa duhet raportet me Beogradin.

“Nuk mund të bëhemi pjesë e skemave të ardhshme pragmatike me Beogradin, pa u sqaruar këto tema, kjo edhe për shkak të përvojës së hidhur që kemi në raport me Beogradin zyrtar. Ne kemi tri marrëveshje të nënshkruara me Qeverinë në Beograd që nuk po respektohen. Prandaj, ne nuk mund të themi të harrojmë të kaluarën dhe po fillojmë nga e reja. Serbia, me marrëveshjet e nënshkruara ka marrë obligime ndaj Luginës së Preshevës të cilat nuk po i respekton, prandaj edhe besimi në këtë apo qeverinë e ardhmshme është zero”, - ka thënë ai.

Kamberi ka bërë me dije se ndarja e shqiptarëve në dy lista nuk do të ndikojë  në numrin e deputetëve.

“Këtu nuk është beteja vetëm për vende në parlament, por edhe për dy koncepte politike që duhet të ndjekim në të ardhmen. Mbetet të shohim se cilit koncept do të orientohen zgjedhësit tanë. Në anën tjetër, nëse do të ketë angazhim serioz të subjekteve pjesëmarrëse përsëri, të dy listat mund të fitojnë tri mandate”, - është shprehur.

Listat në proces të certifikimit

Liderët e dy grupimeve politike kanë bërë me dije se deri më tani i kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces zgjedhor.

Ata kanë treguar se tani janë në proces të certifikimit në Komisionin Qendror  në Beograd. 

“Momentalisht gjithçka është në procedurë, lista e jonë është dorëzuar në Komisionin Qendror në Beograd dhe është pranuar. Ne tashmë jemi vetëm të certifikuar. Kurse për listën e dytë nuk kam informacione. Me sa di unë janë ende duke mbledhur nënshkrime. Ne tashmë kalojmë në një fazë përgatitore për ditën e zgjedhjeve dhe besoj jemi në kohë”, - ka treguar Arifi.

Kurse, Shaip Kamberi, udhëheqës i koalicionit “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës”, ka thënë se gjatë javës do ta dorëzojnë listën e tyre me kandidatë për deputetë.

“Aktualisht, jemi në fazën e grumbullimit të pesëmijë nënshkrimeve përkrahëse të listës sonë ‘Koalicioni i shqiptarëve të Luginës’, koalicion i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, si parakusht për ta dorëzuar listën në Komisionin Qendror Zgjedhor deri më 13 mars, kur përfundon afati i përcaktuar ligjor. Jemi në fazën e fundit të grumbullimit të këtyre nënshkrimeve dhe gjatë javës ne do ta dorëzojmë listën për certifikim në KQZ”, - është shprehur Kamberi.

“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” përbehet nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Progres Demokratik.

Kurse, Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit deri më tani kanë bërë marrëveshje me Lëvizjen për Reforma.

Me ndërmjetësimin e ish-ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, në vitin 2020, partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kishin arritur marrëveshje që për zgjedhjet e asaj kohe të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore.

Kjo ishte hera e parë në historinë e pluralizmit politik që subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës ishin bashkuar.

Shkruar nga Muhamet Koci- Nacionale

copy(/home/titulli/public_html/images/image/rifi-kamberi.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration