Ankesa për mungesë të formularëve shqip për pasaportat e reja në Maqedoninë e Veriut
Rajoni dhe Politika

Ankesa për mungesë të formularëve shqip për pasaportat e reja në Maqedoninë e Veriut

29.Jan.2024 22:33
0

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë të pajisen me pasaporta të reja në gjuhën shqipe si rrjedhojë e mungesës së formularëve në të dyja gjuhët për dokumentet e udhëtimit.

“Nuk ka formularë në gjuhën shqipe kështu që duhet të vendosni që pasaportën ta merrni vetëm në gjuhën maqedonase ose të prisni”, kështu i është drejtuar gazetares së Radios Evropa e Lirë administratori të hënën e 22 janarit në një pikë për regjistrimin e të dhënave biometrike në Shkup, duke theksuar se tashmë më shumë se tre javë mungojnë formularët në gjuhën shqipe. Ai thotë se nuk ka informacione se kur do të pajisen me këta formularë.

Ndërkaq, afati për pajisje me dokumente të reja me emrin ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, në bazë të Marrëveshjes së Prespës skadon më 12 shkurt të këtij viti.

 

Në një deklaratë më 24 janar ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se nuk ka mungesë të formularëve dygjuhësh.

“Ka formularë për pasaporta, një sasi e re do të arrijë të hënën, pas një jave do të arrijë edhe sasia e dytë, kështu që formularë në këtë pjesë ka dhe nuk duhet aspak të shqetësohemi nëse do të vazhdojë i gjithë procesi”, tha Spasovski, pas deklaratës së Avokatit të Popullit, Naser Ziberi, për Radion Evropa e Lirë se nga fillimi i këtij viti deri më tani në zyrën e tij kanë ardhur shumë parashtresa që kanë të bëjnë me mungesën e formularëve në gjuhën shqipe për dokumentet e udhëtimit.

“Në biseda të caktuara jozyrtare kam marrë informacion se ka mungesë të formularëve. Mund të them me siguri se mungojnë formularët për dokumentet dygjuhëshe të udhëtimit, por mendoj se mungojnë edhe formularët për dokumentet e tjera”, tha për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit Naser Ziberi.

Ziberi i tha Radios Evropa e Lirë më 24 janar se ankesat që kanë qytetarët për realizimin e të drejtës për marrjen e pasaportave në gjuhën shqipe mund t’i adresojnë në zyrën e Avokatit të Popullit edhe përmes postës elektronike.

“Përmes ankesave do ta nxisim Ministrinë e Punëve të Brendshme që sa më shpejt të sigurojë formularë”, theksoi Ziberi.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik të vitit 2018 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, dokumentet personale duhet të ndërrohen në përputhje me emrin e ri të shtetit brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, përkatësisht deri më 12 shkurt të vitit 2024.

Afati i shkurtër kohor për ndryshimin e dokumenteve personale, ka bërë që të krijohen radhë të gjata para sporteleve ku merren të dhënat biometrike për dokumentet e reja personale.

Megjithëse në bazë të Ligjit për dokumentet e udhëtimit pasaporta me procedurë të rregullt duhet të merret brenda 15 ditëve, kjo gjë nuk respektohet në praktikë.

 

Qytetarët që kanë aplikuar që në dhjetor me procedurë të rregullt, thonë se ende nuk i kanë marrë dokumentet e udhëtimit, ndërsa po presin me orë të tëra para sportelit të dikasterit të policisë ku jepen dokumentet e gatshme të udhëtimit.

“Për pasaportën e re më kanë fotografuar, për të dhënat biometrike më 2 dhjetor të vitit të kaluar, për katër ditë me radhë kam pritur që të marr pasaportën dhe më thonë se nuk është gati” thotë Pellagija nga Shkupi.

Ndërsa ata që kanë aplikuar me procedurë të përshpejtuar dhe për këtë kanë paguar trefish më shumë, gjegjësisht 6 mijë e 100 denarë (100 euro) pasaportat duhet t’i marrin brenda 48 orëve.

Por, edhe at që kanë paguar më shumë, nuk arrijnë t’i marrin pasaportat edhe pas një jave.

“Pagova më shtrenjtë sepse duhet të kthehem në punë në Vjenë. Kam nxjerrë dhe biletën e autobusit ndërsa ka tri ditë me radhë që vij këtu dhe më thonë se pasaporta nuk është gati”, thotë Darko Vitanov që po priste të merrte pasaportat bashkë me bashkëshorten e tij.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri më 16 janar, 1 milion e 50 mijë e 430 qytetarë janë pajisur me letërnjoftime të reja dhe 1 milion e 211 mijë e 776 syresh me pasaporta të reja, kurse 546 mijë e 741 mijë qytetarë janë pajisur me patentë-shoferi./REL/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/asaporta-maqedonise.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mediat ruse i shpallën të vrarë në Ukrainë: Dy francezë flasin për REL-in (video)
"Panairi Lugina 2024" edhe këtë vit do të organizohet në Zvicër
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration