Aktivitetet e "Ditët përkujtimore të Jonuz Musliut" në Bujanoc
Në përvjetorin e VI-të të Ditëve përkujtimore të Jonuz Musliut organizohen aktivitetet tradicionale për të shënuar e kujtuar vetmohimin e tij gjatë gjithë jetës për kauzën kombëtare.
Të enjten më 18 janar në ora 14:00 nisim aktivitetet me ECJE NË JANAR nga Dobrosini në Konçul për të shënuar simbolin e rezistencës dhe organizimit nën gjurmët e çlirimtarëve që i sollën historinë e re Kosovës Lindore dhe që është e vetmja rrugë në këto troje që përmban nën vete sakrificën dhe vetmohimin e shumë djemve e vajzave që guxuan të dalin mbi vetet e tyre për të vazhduar betejat ndaj lirisë së atdheut.
Ndërsa në ora 16:30 tek Lapidari i Jonuz Musliut përmbyllim ditën e parë përkujtimore me NDEZJEN E FLAKADANEVE për të shënuar simbolikisht rezistencën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës Lindore e në veçanti të atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për ditët e bardha që të gjithë ne i gëzojmë sot.
Të premten më 19 janar nga ora 16:00 në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc organizohet Turneu memorial në Shah i organizuar nga Federata e Shahut të Kosovës dhe Klubi i Shahut BESA në Bujanoc me pjesëmarrjen e dhjetra shahistëve nga vendi dhe rajoni.
Më 20 janar në ora 12:00, tek Lapidari i JONUZ MUSLIUT në Konçul organizohen HOMAZHE për të nderuar jetën dhe veprën e tij sublime për lirinë dhe çlirimin e atdheut.
Ndërsa në ora 13:00 do të përmbyllim aktivitetet me AKADEMINË PËRKUJTIMORE për të përkujtuar jetën, veprën dhe vetmohimin e atdhetarit, liridashësit që në ilegalitet e liderit politik të UÇPMB-së, liderit të LPD-së, ish Kryetarit të Kuvendit të Bujanocit dhe ish Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar - JONUZ MUSLIU.
Ftoheni që të nderojmë e të shënojmë bashkë DITËT PËRKUJTIMORE të JONUZ MUSLIUT!
*Aktivitetet organizohen nën patrionatin e Komunës së Bujanocit, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe OVL Bujanoc.
Teskt i publikuar nga LPD