A mund të gjejë media ruse shtëpi të re në Serbi?
Lokale

A mund të gjejë media ruse shtëpi të re në Serbi?

22.Jul.2022 07:46
0

Para dhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia ka qenë aktive edhe në luftën e vazhdueshme të informacionit, duke u varur nga mediat si Sputnik dhe RT, për të përhapur ato që njihen si dezinformata dhe propagandë pro-Kremlinit.

Për këtë arsye RT është ndaluar brenda territorit të Bashkimit Evropian dhe kompanitë teknologjike kanë marrë hapa të ngjashëm për të ndalur hapin e Moskës teksa përhap qëndrimin për “operacionin e saj special” në Ukrainë si dhe për çështje tjera të ndjeshme për audiencën globale.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, mirëpo këtij vendi nuk i diktohen vendimet e marra në Bruksel.

Tani, ky vend i Ballkanit me shtatë milionë banorë, për kohë të gjatë shënjestër e fushatave dezinformuese dhe me lidhje historike me Moskën, mund të shqyrtojë mundësinë nëse do t’ia mundësojë RT-së transmetimin nga Beogradi.

Nëse RT nis punën nga Serbia, kjo media mund të ketë menjëherë audiencë që e pranon.

Sondazhet e fundit që janë kryer nga organizatat joqeveritare në Serbi kanë gjetur se dy të tretat e respodentëve kanë thënë se janë më të afërt me anën ruse, sa i përket konfliktit aktual në Ukrainë.

 

Rregullatorët shtetërorë të mediave në Serbi kanë thënë se RT ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare.

Në rast të shtrirjes në Serbi, RT duhet të bëjë kërkesë te këta operatorë në mënyrë që të pajisjet me licencë.

Mirëpo raportimet për një plan të tillë veçse janë duke qarkulluar në mediat serbe së fundi dhe të njëjtat janë duke u parë me mjaft seriozitet.

Një zëdhënës i bllokut evropian, i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se Beogradi duhet të mendojë dy herë nëse do të thellojë lidhjet me transmetuesin e financuar nga Kremlini.

“Pa i komentuar synimet, më lejoni t’ju rikujtoj se BE-ja ka vendosur kufizime në transmetim dhe reklamim kundër RT-së, në kuadër të sanksioneve që janë përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë. RT është pjesë e propagandës ruse dhe instrument dezinformimi. Nga Serbia, si vend kandidat, pritet që të veprojë në përputhje me politikën e BE-së për punë të jashtme dhe siguri dhe të respektojë vendimet”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

 

Beogradi veçse është nikoqir i Sputnikut, medium rus që ka edhe faqen në gjuhën serbe, për të cilin në raportet e Shteteve të Bashkuara është thënë se “shpërfaq realitet alternativ për audiencën serbe dhe atë sllave”.

Shtrirja e RT-së në Beograd do t’i mundësonte administratës së presidentit rus, Vladimir Putin, që të shpërndajë qëndrimin e tij në më shumë shtëpi sesa me Sputnikun, meqë RT ka edhe transmetime televizive.

Një gjë e tillë mund të shihet si hap i madh i Kremlinit, jo vetëm në Serbi, por edhe në pjesën tjetër të Ballkanit, ka thënë analisti serb, Boshko Jakshiq, duke përmendur edhe entitetin serb që përbën gjysmën e Bosnjë e Hercegovinës.

“Moska ka dëshirë që të vazhdojë përhapjen e propagandës, sidomos në Serbi dhe Republikën Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, të cilat i konsideron si baza të interesit. Këtë forcim të prezencës mediale Rusia mund ta konsiderojë si sukses të radhës”, ka thënë Jakshiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

 

Gazi natyror, armët dhe përkrahja politike e bëjnë Beogradin të varur nga Moska.

Serbia ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në takimet e Kombeve të Bashkuara, mirëpo nuk ka vendosur sanksione.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është ankuar se Serbia po përballet me “ankthe” për shkak të mundësisë që të zgjedhë njërën anë.

Vuçiq, ish ultra-nacionalist, i cili ka marrë pushtetin duke e prezantuar veten si reformist, është zotuar se do të drejtojë Serbinë kah Bashkimi Evropian.

 

Megjithatë ai ka mbrojtur të drejtën e RT-së për të transmetuar në BE, duke përmendur si arsyetim lirinë e shprehjes.

Pavarësisht kësaj, organizata ndërkombëtare, Freedom House, ka gjetur se në Beograd mediat e pavarura vazhdojnë të përballen me preson të konsiderueshëm.

E lansuar më 2005 si Russia Today, RT është media shtetërore e Rusisë, e cila është zgjeruar në vazhdimësi.

Aktualisht ka kanale në disa gjuhë përfshirë ato: angleze, franceze, spanjolle dhe atë arabe.

Pavarësisht operimit në platforma të ndryshme përreth botës, RT është përballur me goditje të mëdha muajve të fundit, pasi kompani të mëdha të teknologjisë kanë bllokuar kanalet e saj për shkak të sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Bashkimi Evropian ka pezulluar transmetimin e disa mediave të mbështetura nga Rusia, përfshirë RT-së, më 1 mars.

Blloku evropian ka sanksionuar edhe Margarita Simonyan, kryeredaktore e kanalit të RT-së në gjuhën angleze.

“Sputnik dhe Russia Today janë nën kontroll të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë të autoriteteve të Federatës Ruse dhe janë instrumente të rëndësishme për të rritur mbështetjen për agresionin ushtarak kundër Ukrainës, si dhe për destabilizim të shteteve fqinje”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell më 2 mars.

 

Kompania gjigante Meta ka bllokuar këto media në platformat e saj, Facebook dhe Instagram.

Kompanitë tjera u kanë pamundësuar atyre reklamimin dhe përfitimet që mund të kenë prej tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, RT America ka ndalur punën dhe stafi është zhvendosur në muajin mars.

Pavarësisht reputacionit dhe problemeve, Olivera Zekiq, presidente e Autoritetit Rregullues për Mediat Elektronike, ka thënë se RT do të ketë trajtim të barabartë në Serbi, nëse aplikon për licencë transmetimi.

Zekiq ka thënë se ndalesa që i ka bërë BE-ja RT-së, nuk do të ketë ndikim në vendimin e autoriteteve serbe.

“Nuk ka ndonjë problem nëse Russia Today aplikon pasi Autoriteti është i fokusuar në respektim të lirisë së shprehjes. Duhet pasur parasysh se informacioni për ardhjen e saj është vetëm në baza thashethemesh”, ka thënë Zekiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas Jashkiqit, vendimi nëse RT do të sigurojë licencë do të varet nga Vuçiqi.

Ai ka shtuar se lideri serb mund të vendosë që të kënaqë Kremlinin, pas "dëmit që është shkaktuar në marrëdhënie”, duke pasur parasysh se Serbia ka votuar në të mirë të një rezolute në OKB që dënonte pushtimin rus në Ukrainë.

Megjithatë, Jakshiq ka thënë se edhe ky vendim mund të ketë koston e vet.

“Në kohën kur Perëndimi kërkon që t’iu bashkohemi sanksioneve kundër Moskës, Serbia do ta qëllojë vetveten nëse e miraton licencën për Russia Today”, ka shtuar Jakshiq.

 

Edhe pa RT-në, mediat në Serbi kanë përkrahur Putinin dhe vendimin e tij për luftë në Ukrainë.

Tabloidi më i madh në Serbi, Informer, ka printuar disa artikuj duke lavdëruar Putinin.

Dy ditë para 24 shkurtit, kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, ky tabloid ka publikuar një artikull me titull, Ukraina ka sulmuar Rusinë.

“Organet e propagandës pro-qeveritare të Serbisë kanë krijuar kultin e personalitetit të Putinit, që madje tejkalon atë që ata kanë ndërtuar për Vuçiqin", ka thënë Dinko Gruhonjiq, profesor i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit, në një prononcim për agjencinë e lajmeve AFP gjatë këtij muaji.

Teksa pushtimi rus vazhdon, dhe raportimet për mizoritë e dyshuara ruse shtohen, qasja e mediave serbe ndaj luftës ka nisur “të zbutet”, sipas organizatës joqeveritare CRTA, me bazë në Beograd, e cila bën thirrje për transparencë edhe reforma demokratike në Serbi.

“Ndonëse mbështetja e hapur për Rusinë është vërejtur prej nisjes së luftës, mediat vazhdojnë të raportojnë në favor të Rusisë dhe kundër Perëndimit”, ka thënë CRTA në raportin e saj të 6 korrikut.

CRTA ka gjetur se edhe publiku në Serbi ka qenë në anën e Rusisë.

Dy të tretat e të anketuarve kanë thënë se janë më të afërt me Rusinë, sipas hulumtimit të CRTA-së, të publikuar më 15 qershor.

 

Tri të katërtat e respodentëve kanë thënë se besojnë që Kremlini është detyruar të nisë luftën “për shkak të synimeve të NATO-s për t’u zgjeruar”.

Në të njëjtën sondazh është sugjeruar se 40 për qind e popullsisë mendon që Serbia duhet të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të rrisë lidhjet me Moskën.

“Opinioni publik formësohet në ambiente mediale dhe dominohet nga televizionet dhe gazetat që kanë politika editoriale pro-qeveritare dhe pro-ruse”, ka thënë Vujo Iliq, hulumtues dhe një prej hartuesve të raportit.

“Rusia prezantohet në mediat pro-qeveritare si aleate politike dhe ushtarake, mbrojtëse e interesave serbe në Kosovë dhe Bosnjë, dhe si mbështetëse ekonomike, shembull përmes ofrimit të gazit me çmim të arsyeshëm”, ka thënë Iliq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

 

Serbia dhe Rusia kanë lidhje historike, kryesisht përmes Kishës Ortodokse.

Lidhjet e tyre janë forcuar edhe më shumë kur Rusia ka kundërshtuar bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi (tani Serbi) më 1999, dhe ka refuzuar vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008, qëndrim të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot.

Përpjekjet ruse për dezinformim kanë rrënjë të thella në Serbi.

Prej kur ka nisur punën më 2015, Sputnik shpërndan dezinformata kundër BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përmes bazës rajonale në Beograd.

“Narrativat më të shpeshta të Sputnikut në Serbi janë se BE-ja dhe NATO-ja janë të dobëta, hegjemonike dhe agresive”, ka thënë analistja serbe, Jellena Jevtiq më 2021.

Këto gjetje janë përkrahur nga hulumtuesit në Universitetin Tufts, me bazë në SHBA, të cilët kanë thënë se Sputnik Serbia “shpesh publikon artikuj që synojnë të krijojnë realitet alternativ për audiencat serbe dhe sllave. Ky realitet njëkohësisht zmadhon perceptimet mbi kërcënimin për grupet e pakicave serbe në Ballkanin Perëndimor dhe e shpërfaq Rusinë si aleate jetike të vëllezërve të saj sllavë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t-rusi.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration