Fillon trajnimi i gazetarëve të rinj në Bujanoc
Shkolla e Gazetarisë “Gazetarët e së Ardhmes” ka zhvilluar sot takimin e parë me kandidatët e kësaj shkolle në ambientet e zyrave të OSBE-së në Bujanoc, raporton Titulli. Argjent Goga, koordinator i këtij projekti njëkohësisht edhe ligjërues ka deklaruar para kandidatëve se qëllimi është që të trajnohen gazetarët e rinj për të përmirësuar gjendjen e informimit në Luginë. Sipas tij shkollën do ta ndjekin afro 21 të rinj nga Bujanoci e Presheva, dhe ligjërues do të jenë gazetarë me përvojë të cilët kanë dëshmuar rezultat në fushën e gazetarisë në këtë rajon. Shkolla e Gazetarisë do të zgjatë 3 muaj dhe kandidatët do të fitojnë njohuri bazë për gazetarinë si dhe do të angazhohen në punë praktike nëpër mediume të ndryshme në Luginë, duke filluar nga ato të shkruara, elektronike dhe media online. Jeton Ismaili, gazetar dhe ligjërues ka thënë se gazetaria nuk qëndron në vend ashtu siç është me shkencat ekzakte por gazetaria evoluon me kohën dhe ne duhet t’i përshtatemi kësaj dinamike të punës. Ai shtoi se ligjëratat nuk do të jenë të tipit klasik por do të kombinohen me punën praktike që do të ndihmojë shumë në përvetësimin e punës së gazetarit. “Gazetaria është një profesion që ka për qëllim informimin e opinionit mbi ngjarjet e përditshme por gjithmonë duke u bazuar në fakte, saktësi, paanshmëri dhe objektivitet, andaj edhe mënyra e formimit të gazetarit luan një rol të rëndësishëm”, tha Skender Saqipi, gazetarë dhe ligjërues në këtë shkollë. Shkolla e Gazetarisë “Gazetarët e së Ardhmes”, organizohet nga Organizata Joqeveritare “Vizionet Atraktive” në Bujanoc dhe mbështetet financiarisht nga Trupi Koordinues për komunat Bujanoc,Preshevë dhe Medvegjë./Titulli.com/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/06/ballina.jpg): failed to open stream: No such file or directory