Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës
“Kuptohet që lista nuk është e plotë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova dhe Metohia”- është një pjesë e cila është shkruar nga një faqe serbe në Telegram e që i referohet një liste prej pesë personave me emra dhe fotografi që së fundmi kanë diplomuar në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në këtë institucion.
45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Këta zyrtarë të rinj policorë u ishin nënshtruar procedurave të konkursit e Akademisë Policore për të marrë këto pozita, të cilat do t’i ushtrojnë tash e tutje.
Në rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi e emra të policëve të rinj nga komuniteti serb që janë bërë pjesë e institucionit kyç të sigurisë, Policisë së Kosovës.
Në rrjetin social Telegram ka nisur shënjestrimi ndaj disa prej pjesëtarëve të rinj të Policisë, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.
“Deri sa vëllezërit tanë i kanë arrestuar, rrëmbyer, dhe rrahur në kazamatet shqiptarski, këta kanë qenë në trajnim në jugun e Kosovës dhe Metohisë në Vushtrri” – thuhet tutje në njoftimin e shpërndarë në Telegram, duke iu referuar arrestimeve të pesë të dyshuarve për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan dhe sulmeve ndaj gazetarëve.
“Kuptohet që lista nuk është e plotë, serbët nga Kosova dhe Metohija mirë e dinë që në këto ditë “të jesh apo të mos jesh” e kanë shitur zotin për darkë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova dhe Metohia”- thuhet në një nga shkrimet që janë shpërndarë në Telegram, duke u bashkëngjitur edhe emrat e fotografitë e disa prej policëve të rinj.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Policisë Mitrovica Veri, Veton Elshani, në një bisedë me KALLXO.com tha se zyrtarët janë ndarë për të punuar në pikat e stacioneve policore në katër komunat me shumicë serbe.
Madje në këto komente e shkrime që po qarkullojnë në Telegram, thuhet edhe se policët e rinj nga komuniteti serb, stërviteshin nga Policia e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtij institucioni derisa në anën tjetër PK kryente arrestimet dhe, siç pretendojnë ata, “kidnapimet e vëllezërve serbë”.
Nga tri konkurse të cilat Policia e Kosovës kishte hapur në tetë muajt e fundit dy prej tyre ishin specifikisht për policë të rinj të cilët do të shërbenin në Drejtorinë e Policisë në Mitrovicën e Veriut.
Këto konkurse ishin shpallur pasi rreth 600 pjesëtarë të Policisë, me grada e pozita, të ndryshme dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.
Përveç publikimit të identitetit të policëve të rinj, në Telegram nga një faqe serbe u shpërnda edhe një postim i kryeministrit Kurti në Twitter për nisjen e punës së zyrtarëve policorë në katër komunat në veri.
Kurti sot ka thënë se të sapodiplomuarit në Policinë e Kosovës, zyrtarët policorë nga komunitetet joshumicë kanë nisur punën këtë javë në veri të vendit. 45 policë janë nga komuniteti serb, 16 nga komuniteti boshnjak, 8 nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe 3 nga komuniteti turk.
“I falënderojmë për shërbimin e tyre dhe u urojmë suksese”- ka shkruar Kurti.
A janë plotësuar vendet e policëve serbë në veri të Kosovës?
Përveç 45 zyrtarëve të rinj policorë nga komuniteti serb që tashmë janë pjesë e Policisë së Kosovës, në veri ë Mitrovicës në stacionet policore vazhdojnë punën me ndërrime zyrtarë të tjerë të rajonit të Mitrovicës.
Ata kanë mbuluar deri më tani oraret policore nëpër stacione që nga nëntori i vitit të kaluar, kur dhanë dorëheqje gati 600 pjesëtarë policorë.
Dorëheqjes i parapriu suspendimi i ish-drejtorit të Policisë në Veri, Nenad Gjuriq, i cili nuk respektoi detyrat dhe obligimet e tij për të vepruar në bazë të një vendimi në lidhje me targat e Serbisë dhe zëvendësimin e tyre me targa të Kosovës.
Gjuriq tha se nuk mund të dalë kundër qytetarëve të veriut dhe ofroi dorëheqjen e tij, ndërsa muaj më pas, KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës e hoqi nga puna.
Ditë më parë, KALLXO.com raportoi se si proceset e konkurseve të hapura nga Policia e Kosovës për të rekrutuar policë të rinj duke përfshirë edhe ata të nacionalitetit serb janë ende në proces.
Situata e tensionuar në veri të vendit ka bërë që prezenca e policëve, një numër prej tyre nga rajonet e tjera, të shtohet në këtë zonë.
Zyrtarë të njësive të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato speciale operative e intervenuese, u panë në katër komunat e banuara me shumicë serbe.
Vendimet e Qeverisë që nuk u pëlqyen nga komuniteti serb, mbajtja e zgjedhjeve të reja pas dorëheqjes së ish-kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, betimi e vendosja e tyre në ndërtesat komunale tensionoi situatën.
Banorët e kësaj zone në vazhdimësi kanë protestuar duke kërkuar largimin e kryetarëve të rinj e po ashtu edhe largimin e zyrtarëve policorë nga ndërtesat komunale.
Më 11 korrik 2023, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian janë marrë vesh për shtendosjen e situatës në veri përmes disa hapave.
Në një përgjigje për KALLXO.com, BE kishte thënë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.
Një ditë më vonë, kryeministri i vendit Albin Kurti ka njoftuar se si do të zbatohet në dy javët në vazhdim dakordimi i Bratisllavës, për shtendosjen e situatës në veri, që u arrit mes zv.kryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Kurti ka thënë se arritja e kësaj marrëveshjeje tregon gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe rajon.
Sipas kalendarit të publikuar nga kryeministri, në javën e parë parashihet që Qeveria e Kosovës të shpallë publikisht gatishmërinë për të punuar në drejtim të shtensionimit të situatës, duke përfshirë reduktimin e menjëhershëm për 25% të prezencës së policëve brenda dhe rreth ndërtesave komunale.
Kujtojmë se përveç policëve të dorëhequr në veri, detyrën dorëzuan edhe ata që punuan në kuvend si deputetë, prokurorë, gjyqtarë e doganierë, e zyrtarët komunalë.
Kjo situatë u pa vetëm në katër komunat me shumicë serbe. Kjo pasi që në komunat e tjera ku jetojnë komunitetet joshumicë puna vazhdoi normalisht dhe integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës vazhdoi njëjtë.
Raste ku qytetarë serbë të cilët kanë tentuar të ndjekin vendimet e Qeverisë së Kosovës e të cilët më pas kanë qenë cak i sulmeve janë të shumta.
Kujtojmë se në kohën e tensioneve për zëvendësimin e targave nga ato serbe në RKS, janë regjistruar disa raste që veturat e qytetarëve serbë janë djegur vetëm për faktin se nisën regjistrimin në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Kjo ishte vënë në pah edhe gjatë një interviste për Tanjug, e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prill të këtij viti.
Ai kishte thënë se “Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”.
Kjo deklaratë i kishte paraprirë një deklarate tjetër e që Escobar kishte bërë thirrje që serbët të ktheheshin në institucionet edhe në Policinë e Kosovës për të punuar dhe vazhduar shërbimin ndaj qytetarëve.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/olicia-kosoves.jpg): failed to open stream: No such file or directory