Ekskluzive: Ambasadori Çaushi shpjegon për shqiptarët e Luginës mënyrën e pajisjes me shtetësinë shqiptare
Intervista

Ekskluzive: Ambasadori Çaushi shpjegon për shqiptarët e Luginës mënyrën e pajisjes me shtetësinë shqiptare

01.Aug.2013 12:26
0
Nga dita e sotme qytetarët shqiptar që jetojnë jashtë shtetit amë, Shqipërisë, do të mund të aplikojnë për të fituar shtetësinë shqiptare pas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave. Më herët është thënë se këtë të drejtë, me përjashtim të shqiptarëve të Kosovës, do të mund t’a shfrytëzojnë të gjithë bashkëkombësit tjerë që jetojnë në vendet e rajonit dhe më gjerë, përfshirë edhe shqiptarët e Luginës. Gjatë një interviste ekskluzive për portalin e pavarur informativ Titulli.com Ambasadori i Shqipërisë në Beograd Shpëtim Çaushi, ka shpjeguar mënyrën e pajisjes së shqiptarëve të Luginës me pasaportën e Shqipërisë, duke iu përmbajtur procedurave tashmë të caktuara. Çaushi, vendimin për dhënien e shtetësisë për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare e vlerëson si një dëshirë për t’u ndjerë krenarë me prejardhjen e tyre.   Titulli:  Z. Ambasador për fillim si e vlerësoni vendimin e qeverisë në Tiranë për të pajisur shqiptarët e Luginës me pasaportë të Shqipërisë? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Fillimisht më duhet të qartësoj, se ky është një vendim i marrë nga qeveria shqiptare, i cili konsiston në fitimin e shtetësisë shqiptare nga persona me origjinë shqiptare, pra nuk është vetëm për shqiptarët e Luginës. Në këtë kontekst unë personalisht e vlerësoj si një vendim që do t’u japë mundësi të gjithë personave me origjinë shqiptare  të kenë shtetësinë shqiptare, si një dëshirë për t’u ndjerë krenarë për prejardhjen e tyre.   Titulli: Nga 1 gushti qytetarët do të mund të aplikojnë për shtetësinë shqiptare, si duhet ta bëjnë një gjë të tillë shqiptarët e Luginës, të cilët gjithnjë kanë qenë të interesuar për një pasaportë të shtetit amë (cilët dokumentacione nevojiten)? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Kërkesa për fitimin e shtetësisë shqiptare do të bëhet me shkrim nga personat e interesuar për ta patur atë. Përveç kësaj duhen plotësuar edhe formularët përkatës të hartuar posaçërisht për këtë proçedurë.  Duke qenë se qytetarët e Luginës nuk jetojnë në Shqipëri por vendbanimet e tyre janë në territorin e Serbisë, aplikimi për të përfituar shtetësinë shqiptare do të bëhet në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd.   Titulli: Përveç të qenurit me kombësi shqiptare, çfarë duhet të plotësojë kandidati për të fituar pasaportën e Republikës së Shqipërisë? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Aplikantit do t’i duhet të paraqesë dokumentacion të saktë e të rregullt, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ai duhet të vërtetojnë se ka lindur nga prindër ku të paktën njëri prej tyre të ketë zotëruar shtetësinë shqiptare në momentin e lindjes, pavarësisht nga vendi i lindjes. Po ashtu, edhe personat, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, mund të aplikojnë për shtetësinë shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare.  Nëse personi i paralindur nuk rezulton të ketë qenë i regjistruar në regjistrat e gjendjes civile, fakti i zotërimit  të shtetësisë shqiptare mund të provohet me çdo çertifikatë zyrtare, pasaportë, vendim gjyqësor apo çdo dokument tjetër zyrtar që provon shtetësinë shqiptare e të paralindurit. Ndërkohë, po ashtu edhe fakti i provimit të lidhjes familjare (ashtu si edhe ai i zotërimit) mund të provohet me çdo çertifikatë zyrtare dhe të gjendjes civile, çertifikatë trashëgimie, vendim gjyqësor apo çdo dokument tjetër zyrtar që provon këtë fakt.   Titulli: Duke pas parasysh distancën mes Beogradit dhe Luginës, a do të ekzistojë mundësia e aplikimit online, apo të gjithë të interesuarit duhet të jenë prezentë në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Beograd? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Jemi të vetëdijshëm për distancën midis Beogradit dhe Luginës dhe për këtë shpreh keqardhjen time, por ky vendim nuk parashikon aplikimin online. Personat që do të aplikojnë do të duhet të jenë prezentë në Ambasadë për të konsultuar dokumentat që ai do të paraqesë, pasi për çdo aplikant do të krijohet një dosje e veçantë, e cila do t’u përcillet për shqyrtim organeve kompetente në Shqipëri. Madje për dokumente origjinale do të duhet edhe legalizimi në Ambasadë, gjë që do të thotë se personi aplikues patjetër do të duhet të  kontaktojë Ambasadën.   Titulli: Sa do të zgjasë procedura për aplikim dhe marrjen e pasaportës? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Proçedura e aplikimit varet nga shqyrtimi i dosjeve dhe dokumentave përkatëse. Ajo i nënshtrohet proçedurave administrative në përputhje me dispozitat e Kodit të Proçedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë. Vendimi nuk parashikon një periudhë fikse për marrjen e shtetësisë. Fjalën përfundimtare e ka Presidenti i Republikës.   Titulli: Nëse do të vie deri te pajisja e një pjesë dërmuese të shqiptarëve të Luginës  me pasaportën e Shqipërisë, çfarë përgjegjësi do të ketë më pas Shqipëria ndaj këtyre shtetasve? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Vendimi për të cilin po flasim tregon vetëm proçedurat për marrjen e shtetësisë shqiptare dhe nuk flet për përgjegjësitë e Shqipërisë ndaj këtyre shtetasve. Besoj se ato do të bëhen të ditura në një fazë të dytë. Ajo që mund të thuhet për momentin është se personat që përfitojnë shtetësinë shqiptare nuk janë të detyruar të lenë shtetësinë që kanë apo të regjistrojnë një vendbanim në territorin e Shqipërisë në momentin e regjistrimit të shtetësisë shqiptare në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.   Titulli: Në fund, si e vlerësoni situatën politike dhe të sigurisë në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë? Ambasadori Shpëtim Çaushi:  Lidhur me pyetjen Tuaj mbi situatën në Luginë, unë dhe gjithë stafi i Ambasadës jemi në kontakt të vazhdueshëm me liderët politikë shqiptarë të Luginës apo personalitete të fushave të ndryshme atje dhe po ashtu jemi në një linjë bashkëpunimi me kolegët e ambasadave partnere dhe organizata ndërkombëtare që veprojnë atje. Ne jemi të vetëdijshëm për problemet e shumta dhe të vështira që ka Lugina dhe mundohemi të japim kontributin tonë në këtë drejtim. Ka ende shumë punë për të bërë, por mendoj se gjerat janë duke ecur në kah pozitiv, në tërësi, dhe, sigurisht, edhe me   një predispozicion akoma më efektiv dhe më në rritje nga ana e Beogradit për zgjidhjen e problematikave të shumta që ka Lugina e Preshevës. /Titulli.com/
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration