Dyshime për dallavere në thirrjen për renovimin e Ambasadës në Londër, ambasador Iliri Kapiti (video)
Rajoni dhe Politika

Dyshime për dallavere në thirrjen për renovimin e Ambasadës në Londër, ambasador Iliri Kapiti (video)

19.Feb.2024 07:42
0

Një kompani, e cila aplikoi për rinovimin e objektit të Ambasadës së Kosovës në Londër pretendon se zyrtarët e këtij misioni e diskualifikuan qëllimisht nga procesi i tenderimit, duke e shtyrë që ta rrisë çmimin e ofertës. Negocimi i përqindjes së ofertave konfirmohet edhe në e-mailat e shkëmbyer mes kompanisë ofertuese dhe zyrtarëve të Ambasadës në Londër

Tenderi për rinovimin e objektit të Ambasadës së Kosovës në Londër, që u ble vitin e kaluar për 7.4 milionë euro, është shoqëruar me dyshime për dallavere, nisur nga mënyra si është hapur thirrja. Njëra prej kompanive që ka ofertuar në thirrjen e shpallur më 13 dhjetor 2023 ka ngritur pretendime se zyrtarët e Ambasadës e shtynë në veprime të cilat e diskualifikuan nga tenderi. Studio e arkitekturës “Krasniqi” (KAS), ka qenë njëra prej kompanive që ka dorëzuar tenderin në fund të dhjetorit. Por zyrtarë të kompanisë thonë se që nga shpallja ka pasur mungesë informatash lidhur me renovimet që kërkohen. Me gjithë kërkesën që t’i vihen në dispozicion vizatimet e objektit, Ambasada nuk e ka bërë këtë me arsyen se janë konfidenciale. 

Përfaqësuesi i kompanisë me seli në Londër, Mirsad Krasniqi, është shprehur i habitur me këtë vendim pasi siç thotë informatat e tilla janë të qasshme për publikun, gjë e cila mund të konfirmohet në faqen zyrtare të Këshillit të Qytetit “Westminster”. Aty janë të publikuara edhe skicat e objektit të Ambasadës së Kosovës, i cili u ble vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

“Fillimisht kemi kërkuar informata shtesë, gjatë procesit të tenderit, por nuk na janë dhënë. I kemi kërkuar vizatimet të cilat janë edhe qasshme dhe mundet i pa publiku por ata thanë se janë konfidenciale. Kemi kërkuar informata shtesë se çka përfshin renovimi. Por as ato nuk na janë dhënë”, ka thënë Krasniqi. 

Krasniqi shton se tri ditë pasi ka dorëzuar ofertën e ka kontaktuar zëvendëskonsulli, Ilir Bytyqi, duke e pyetur se pse çmimi i ofertës është 4 për qind e vlerës së buxhetit të renovimit e jo 10 ose 12 për qind. 

Nëse buxheti i ndërtimit për rinovimin e ndërtimit do të ishte 100 mijë funte, atëherë çmimi i shërbimeve të arkitektit, sipas ofertës së dorëzuar nga Krasniqi, do të ishte 4 mijë funte. Pas komunikimit me zëvendësambasadorin, Krasniqi thotë se e ka rritur vlerën e çmimit në 12 për qind. 

“Kur e kemi dhënë ofertën tonë me 4 për qind, tri ditë pasi i kam dorëzuar dokumentet më kanë pyetur se pse çmimi është i ulët, më thanë se zakonisht është 10 deri 12 për qind. E kam ditë se është e jashtëligjshme kjo që po kërkojnë pasi caktimi i përqindjes ka qenë në vitet 80-ta, por tani nuk ekziston më. Pas thirrjes e mora si shenjë që me rrit çmimin. Por pasi e kemi rrit ofertën morën përgjigje nga Ambasada që nuk jena përzgjedh”, është shprehur Krasniqi.

 

Negocimi i përqindjes së ofertave konfirmohet edhe në emailat e shkëmbyer mes Krasniqit dhe zyrtarëve të ambasadës në Londër.

“Gjatë bisedës sonë telefonike më 29 dhjetor, ju pyetët pse tarifa jonë ishte vetëm 4%, duke lënë të kuptohet se ishte e ulët dhe duke e krahasuar atë me një shifër që ju deklaruat si '8-12%'. Para së gjithash, kjo është faktikisht e pasaktë, RIBA nuk ka një udhëzues të publikuar për shkallët e tarifave. Shkalla e tarifës RIBA u hoq nga Margaret Thatcher në vitet 1980. Ligji në Mbretërinë e Bashkuar e pengon RIBA-n që të sugjerojë edhe shkallë tarifash”, shkruan në emailin që Krasniqi i ka dërguar Ambasadës. Pavarësisht kësaj, aty shton se merr parasysh informacionin për rritjen e çmimit.

“Nëse ne kemi humbur ofertën tonë për shkak se tarifa jonë është më e lartë se oferta fituese, kjo përbën një ndërhyrje në ofertën tonë gjatë një kohe kur çdo ofertues i mundshëm konkurrues duhet të ketë mundësi të barabarta. Ne kemi qasje në regjistrimin e bisedave dhe ne do ta vëmë atë në dispozicion të gjykatave nëse kjo çështje nuk zgjidhet”, shkruan në email

Në përgjigje të këtij emaili, Ambasada e Kosovës në Londër mohon se zyrtari i saj ka përmendur shifrat e ofertës.

“Pas emailit tuaj, na lejoni të cekim se Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Komisioni i ngarkuar për këtë detyrë, i cili ka komunikuar me ju, nuk ka deklaruar asnjëherë se keni ofertën më të ulët, por kemi diskutuar për % e propozuar nga ana e juaj, ndërsa sipas standardeve të aplikuar nga plani Riba % është më e lartë, pra kjo ka qenë pika dhe pika tjera të arsyeshme të cilat i kemi diskutuar, ku dhe ju kemi ofruar mundësi që përmes një emaili të sqarohet oferta të cilën e keni dërguar më pas. Po ashtu na lejoni të ritheksojmë se Ambasada e Republikës së Kosovës ka bërë vlerësimin bazuar në ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe rregullat e kërkuara të ndërtimit në Mbretëri të Bashkuar”, shkruan në emailin e datës 18 janar 2024.

Sipas Ligjit për prokurim publik, autoriteti kontraktues obligohet që ta shpallë fitues çmimin më të ulët ose tenderin ekonomikisht më të favorshëm.

“Njoftimi i kritereve për dhënien e kontratës 1. Autoriteti kontraktues në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit do të specifikoj kriteret që do të përdoren për dhënie të kontratës. Kriteret duhet të jenë ose çmimi më i ulët ose tenderi ekonomikisht më i favorshëm. 2. Nëse autoriteti kontraktues ka specifikuar se kontrata publike do t’i shpërblehet operatorit ekonomik që ka paraqitur tenderin ekonomikisht më të favorshëm, autoriteti kontraktues në fjalë duhet të specifikojë në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit kriteret që do të merren parasysh gjatë vendosjes së fituesit dhe peshën që i është dhënë secilit kriter. Sa më shumë që është e mundshme, autoriteti kontraktues duhet të specifikojë çdo kriter në mënyrë objektive dhe kuantitative si dhe duhet të shprehë peshën që i është dhënë atyre”, thotë neni 52 i Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërkaq RIBA, e cila përmendet në shkëmbimin e emaileve është Instituti Mbretëror ku licencohen arkitektët në Britaninë e Madhe.

Krasniqi në emailat e tij ka shpalosur edhe pretendime për shkelje të tjera.

“Ka edhe çështje të tjera, si për shembull informacioni përkatës nuk është përfshirë në ftesën për tender. Qëllimi dhe përshkrimi i projektit u përjashtuan. Prandaj, kushdo që fiton projektin mbi bazën e tarifës duket të jetë në rastin më të mirë një lojë hamendësimi. Një çështje tjetër që patëm gjatë procesit të tenderit ishte kur kërkova plane vizatimi dhe çdo informacion tjetër nga Ambasada. Më thanë se ishte konfidencial. Kjo është e turbullt, pasi në Mbretërinë e Bashkuar, të gjitha aplikacionet e planifikimit bëhen publike në portalet online të autoritetit vendor të planifikimit”, shkruan në emailin që Krasniqi ia ka dërguar Ambasadës.

Ai thotë se lidhur me këtë tender i ka shkruar edhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Koha ka mësuar se projekti i renovimit ka pasur dy faza, ku në të dyja është shpallur fituese kompania DDWH. Në fazën e parë arkitekti është paguar 24 mijë funte dhe njësoj pritet të jetë edhe pagesa për fazën e dytë. Vizatimet teknike i paraprijnë lejes së ndërtimit dhe kontraktimit të kompanisë që duhet t’i bëjë renovimet nën mbikëqyrjen e kompanisë që ka bërë projektin. Drejtoresha e kompanisë fituese, Donika Dobruna, nuk ka dhënë informacione përkitazi me këtë tender.

“Fatkeqësisht, ne nuk mundemi të ndajmë detajet e projektit të klientit me ju ose me ndonjë palë të tretë. Kjo do të ishte në kundërshtim me Kodin tonë të Sjelljes”, ka thënë Dobruna.

Në MPJD nuk janë deklaruar rreth dyshimeve për ndërhyrje, as nuk kanë treguar sa është totali i shumës për rinovimin e Ambasadës.

Ndërtesa historike në zonën Bayswater të Londrës ishte blerë për 6.5 milionë funte (7.4 milion euro) nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar. Rezidenca është vetëm 100 metra larg nga parqet e njohura, “Kensington Gardens” dhe “Hyde Park”.

Vargu i objekteve ku pritet të vendoset Ambasada e Kosovës është po ashtu shtëpia e disa ambasadave të tjera, përfshirë atë të Gambisë, Guajanës, Laosit dhe Shri Lankës.

copy(/home/titulli/public_html/images/image/mbasado-kosoves-londer.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Ambasadori shqiptar, Camaj takon përfaqësues politik lokal në Preshevë (foto)
Arifi ka pritur ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Canaj
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration