Beqiri: Prioritet ishte arsimi, pushtetet lokale pengesa për avancimin e pozitës shqiptare në Luginë
Funksioni dhe roli që ka Këshilli Kombëtar Shqiptar ka një rëndësi të madhe për pakicën shqiptare që jeton në Serbi, me ligjin për pakicat etnike, aty ku janë mbi 15 për qind të popullatës ato kanë të drejtë ta përdorin gjuhën e tyre amtare zyrtarisht, ka deklaruar në një intervistë për Titullin, Galip Beqiri kryetar i KKSH-së. Ai ka udhëhequr këtë institucion që përfaqëson interesat shqiptare për katër vite dhe thotë se prioritet i është dhënë fushës së arsimit.
“Duke parë se që 20 vite nxënësit tonë kanë punuar pa tekste shkollore, duke parë se Serbia nuk i pranonte diplomat që në fillim jemi përqendruar në fushën e arsimit. Kemi filluar me abetaren, kurse aktualisht kemi diku 70 për qind të teksteve për shkollat fillore, por na kanë mbetur historia, gjeografia, edukata muzikore dhe arti figurativ”,thotë Beqiri.
Mirëpo Beqiri ka vlerësuar se në përdorimin e gjuhës shqipe ka pasur probleme me pushtet lokale në Luginë, por pengesat më të mëdha në këtë sferë janë me policinë e me gjykatat, ndërsa lidhur me financimin thotë se pushteti lokal i Preshevës nuk ka ndarë për aktivitetet e këshillit asnjë dinarë, ndërsa pushteti lokal i Bujanocit në fillim na ka ndarë 700 mijë dinarë, e në dy vitet e fundit nga 400 mijë dinarë.
Titulli: Cila është rëndësia e funksionimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar për shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Galip Beqiri: Ju e dini që shumica e pakicave që jetojnë në Serbi i kanë formuar më herët këshillat kombëtare. Ne shqiptarët me ndihmën e OSBE-së, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar arritëm që para katër viteve ta formojmë këshillin kombëtar, si i vetmi institucion legjitim i shqiptarëve i cili mbron të drejtat e popullatës shqiptare. Funksioni dhe roli që ka KKSH për popullatën shqiptare është mjaftë me rëndësi të madhe për pakicën shqiptare që jeton në Serbi. Që në fillim kemi qenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe në procesin që po kalon popullata shqiptare e Luginës së Preshevës që të punojmë në kompetencat e KKSH-së në katër fushat: arsim, përdorim zyrtar të gjuhës, shkrimit shqip e simboleve kombëtare, informim dhe kulturë. Me aktivitetet dhe punën tonë mendojmë që kemi realizuar programin e paraparë brenda katër viteve, të vetëdijshëm se duhet edhe më tepër për të punuar, të vetëdijshëm se ka edhe shumë probleme tjera, por mendoj se i kemi arritur qëllimet deri diku.
Titulli: Njëra prej fushave është arsimi. Sa është arritur në këtë fushë?
Galip Beqiri: Neve gati dy vite na kanë kaluar rreth organizimit, çështjes së objektit dhe harmonizimit të ligjeve që kanë të bëjnë me këshillat nacionale. Mirëpo tani pas katër viteve ne jemi konsoliduar si këshill dhe deri diku janë krijuar kushtet në këtë objekt. Prioritet i kemi dhënë fushës së arsimit. Duke parë se që 20 vite nxënësit tonë kanë punuar pa tekste shkollore, duke parë se Serbia nuk i pranonte diplomat që në fillim jemi përqendruar në fushën e arsimit. Kemi filluar me abetaren, kurse aktualisht kemi diku 70 për qind të teksteve për shkollat fillore, por na kanë mbetur historia, gjeografia, edukata muzikore dhe arti figurativ. Shpresojmë që brenda një periudhe të shkurtër t’i realizojmë edhe këto. Sa i përket shkollave të mesme nuk kemi tekste. Problemet janë të natyrave objektive edhe subjektive. Disa njerëz të cilët kanë mundur të japin kontributin në çështjen e arsimit nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, e në anën tjetër i kemi pasur problemet me ministrinë e arsimit, sepse është një burokraci shumë e madhe, derisa të jepet një pëlqim për përdorimin e një teksti shkollor kalojnë muaj të tëra. Mbetet që në periudhën e ardhshme këto çështje t’i realizojmë. Në arsim kemi edhe suksese tjera siç janë: ardhja e pedagogëve nga Tirana, trajnimi i profesorëve, pastaj dhënia e provimit të licencave dhe shumë punë tjera.
Titulli: Sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, sa është duke u përdorur gjuha shqipe në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë?
Galip Beqiri: Pas arsimit, çështja më delikate është përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit shqip. Me ligjin për pakicat etnike, aty ku janë mbi 15 për qind të popullatës pakicat kanë të drejtë ta përdorin gjuhën e tyre amtare zyrtarisht. Probleme në këtë çështje kemi me pushtetet lokale edhe në organizatat publike ku themeluese janë komunat. Kemi një mori ankesash tek ombudsmani për moszbatimin e dygjuhësisë në komunat e Bujanocit dhe Preshevës. Por, problemet më të mëdha në këtë sferë i kemi me policinë, me gjykatat, ku shembull është e paimagjinueshme që kërkuesi dhe përpunuesi i lëndës janë shqiptarë e nuk zbatohet dygjuhësia.
Titulli: Çfarë bashkëpunimi ka KKSH me institucionet lokale e republikane?
Galip Beqiri: Kemi raste kur Këshilli Kombëtar ka marr vendim që të shpall disa institucione me rëndësi të veçantë dhe kanë dal në Fletoren Zyrtare, por pushtete lokale nuk i zbatojnë këto vendime. Të gjitha vendimet që i merr këshilli, por edhe vendimet e ombudsmanit në favor të këshillit, pushtete lokale nuk i kanë zbatuar, edhe pse jemi munduar të kemi një bashkëpunim së paku tek çështja e këshillave të shkollës, teksteve shkollore, por nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët. Pushtetet lokale nuk e kanë kuptuar KKSH-në si organ të shqiptarëve, ku duhet të bashkëpunojnë për interes të shqiptarëve. Komuna e Preshevës jo vetëm që nuk i ka zbatuar vendimet e këshillit nacional, por edhe i ka penguar ato, ndërsa sa i përket mjeteve materiale për këto katër vite pushtet lokal i Preshevës nuk ka ndarë për aktivitetet e këshillit asnjë dinar. Pushteti lokal i Bujanocit në fillim na ka ndarë 700 mijë dinarë, e në dy vitet e fundit nga 400 mijë dinarë, por këto mjete realizohen sipas tekeve. Sa i përket ministrive, me Ministrinë e Kulturës nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim, sepse kur është pyetje informimi dhe kultura nuk na kanë ndarë mjete për aktivitete. Deri më tani shumë shoqata të qytetarëve, organizata joqeveritare nga Serbia kanë fituar projekte nga kjo ministri në emër të popullatës shqiptare. Por ne punën tonë e kemi kryer, kemi shpallur me interes të veçantë bibliotekat, shtëpitë e kulturës dhe mediumet publike që financohen nga komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Sa i përket informimit, këtu jemi të pak më tepër të kënaqur pasi kemi dy televizione publike e dy private, por problemi është te gazeta “Nacionali” pasi kemi ndërprerë përkohësisht daljen për shkak të mungesës së mjeteve. Ju e dini se Këshillit Nacional iu kanë zvogëluar mjetet prej 16.5 milionë dinarëve në 13 milionë dhe në mungesë të mjeteve KKSH nuk ka arritur të realizojë të gjithë projektet e paraparë, sidomos në lëmin e kulturës.
Titulli: Ndërkaq, sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kosovën?
Galip Beqiri: Këshillat nacionale financohen nga katër burime: nga qeveria, sipas numrit të banorëve, nga pushtete lokale, nga donacionet dhe nga shteti amë. Duke parë se çfarë bën shteti amë për pakicat hungareze, bullgare e gjermane në Serbi, mund të them se përveç bashkëpunimit në regjistrimi ne studentëve në Tiranë e Prishtinë, në aspektin e aktiviteteve kulturore, në aspektin e ndarjes së mjeteve materiale, deri më tash nuk kemi pasur ndihmë. Përveç ardhjes së Ansamblit Shtetëror në Bujanoc e Preshevë, aktivitete tjera nuk kemi pasur nga Ministria e Kulturës, edhe pse kemi biseduar që së paku të financojnë daljen e “Nacionalit” për gjashtë muaj, por përveç premtimeve boshe nuk kemi pasur asgjë konkrete. Prandaj apeloj edhe tek ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës që të na ndihmojnë, sepse shteti amë ka të drejtë të ndihmojë pakicën e tyre etnike. /Titulli.com/