A po përgatiten lëkundje tektonike në qeverisjen Kamberi në Bujanoc?
Qeverisja lokale e komunës së Bujanocit mundë të ndryshojë strukturën udhëheqëse gjatë vitit 2018 duke e freskuar edhe me kuadro të reja brenda grupeve të tyre politike.Burime të redaksisë së Titulli.com brenda administratës komunale thonë se individë të caktuar vetëm kanë filluar të paraqesin ambiciet e tyre në rast të ndërrimit të partnerëve të koalicionit.
Të njëjtat burime thonë se planet po bëhen nga kryetari i komunës së Bujanocit i cili është gati të bëhet kurban i kësaj situate me qëllim të avancimit të tij në pozitë tjetër institucionale apo politike.
Pushteti lokale i komunës së Bujanocit tani qeveriset nga koalicioni PVD-UDSH-LPD, grupi i qytetarëve-Stojança Arsiq, lista serbe-SPS-JS-SPO dhe Partia e Njësuar Rome listës serbe ndërsa në opozitë janë këshilltarët e Partisë Demokratike dhe listës së Partisë Përparimtare të Aleksandër Vuçiq.
Lëkundjet e mundshme tektonike politike në komunën e Bujanocit mundë të ndodhin pas situatës së re të krijuar tek partneri i koalicionit Lëvizja e Progresit Demokratik.
“Partia jonë është duke analizuar situatën e re tek subjekti jonë dhe presim që në mbledhjen e cila do të mbahet të shohim disponim dhe planet tona”, kështu i tha Titulli.com një burim i Lëvizjes së Progresit Demokratik.
Burimi i LPD-së që deshi të mbetet anonim duke folur për qëllimet e partisë kryesore qeverisëse që po prezantohen nëpër kafene tha se janë gati edhe për situate të reja politike.
Kuvendi komunal i komunës së Bujanocit, duhet të votojë kryetarin e këtij institucioni pas vdekjes së Junuz Musliut i cili mbante këtë pozitë nga qeverisja e formuar në qershor të vitit 2016.
Qeverisja komunale në Bujanoc është formuar në bazë të marrëveshjes së koalicionit të listës PVD-UDSH Shaip Kamberi, Grupi i Qytetarëve Dr Stojança Arsiq, Lëvizja e Progresit Demokratik – Jonuz Musliu, lista serbe-SPS-JS-SPO dhe Partia e Njësuar Rome të cilët në tërësi përbëjnë 24 këshilltarë.
Të gjitha këto muhabete interne rreth ndryshimit të strukturës qeverisëse në komunën e Bujanocit mbeten dëshira dhe spekulime derisa të deklarohen zyrtarisht partitë pjesëmarrëse në kuvendin komunal./Titulli.com./