"Na përjashtuan nga puna-na kthej gjykata, tani ja ku na kanë pru" (foto)
Lokale

"Na përjashtuan nga puna-na kthej gjykata, tani ja ku na kanë pru" (foto)

19.Jun.2014 08:20
0

Punëtorët shqiptar në Bujanoc, të përjashtuar dhe më pas të kthyer nga gjykata në vendet e tyre të punës, tashmë gati një muaj janë ndarë nga kolegët e tyre, duke u dërguar në një zyrë me qindra metra larg ndërtesës ku dikur punonin, e që ka kushte të rënda pune.

Redaksia e Titullit është njoftuar për rastin në fjalë, përderisa vetë punëtorët që ndjehen të diskriminuar janë shprehur se largimi nga objekti i Drejtoratit për Ndërtim, para rreth një muaji e i cili gjendet në qendër të Bujanocit, për ta  donë të thotë hakmarrje.

“Për ne, kjo ndarje nuk është vetëm fizike, po aq sa është hakmarrje për të na diskredituar totalishtë, duke mos na parë në kolektiv me gjithë punëtorët tjerë! Ideja për ndarje është produkt i njëmendësisë për të na detyruar ta lojm punën! Duke menduar se na godasin emocionalishtë, duke na ndarë fizikisht, ata pretendojnë të na shkëpusin nga ndjenja e të qenurit  pjesë e kolektivit!”, kështu e nisi deklaratën e tij, Gëzim Murati, jurist me profesion, të cilit së bashku me 10 kolegë të tjerë i është ndërruar lokaliteti i punës, duke u dërguar në një zyrë afër objektit të Kryqit të Kuq.

Sipas Muratit ata tani janë duke u degraduar skajshmërisht pasi si ai dhe kolegët e tij me diplomime në fusha të ndryshme angazhohen për të kryer punë fizike, si pastrimin e rrugëve, trotuareve me qëllim që ata ta lënë punën.

“Si ka mundësi, që deri dje ne kishim zyre të mjaftueshme? Çka ndodhi sot? Logjike, ata sollën militant partiak, na përjashtuan neve, ne fituam kontestet përmes gjykatës, u kthyem në punë, na hiqnin stimulimin çdo muaj, kur e panë që nuk dorëzoheshim për çështje parimore, mundoheshin duke na nënçmuar degraduar, se mos po bindeshim të merrnim librezat e partisë tyre, dhe në fund tashti me ketë logjikë na detyrojnë të kryejmë punë, që si formë revanshi se nuk iu jemi bashkuar subjektit tyre, na degradojnë skajshmërisht”, shprehet Murati.

Siç shprehet bashkëbiseduesi “kjo hakmarrje, ky trajtim, duke mos na siguruar as kushte elementare, si ujë të pijshëm, toalet, veshmbathje për punë terreni, fletë për logjikën e krijimit të kushteve paraprake, për të na degraduar si kuadro para së gjithash shqiptare, dhe për të na detyruar të lojm punën”.

Nga ana tjetër drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti në një prononcim për Televizionin Publik në Bujanoc është shprehur se ky grup i punëtorëve është tepricë teknologjike dhe se ai është punësuar në kohë të pacaktuar në momentin që ish kryetari i komunës së Bujanocit po dorëzonte mandatin dhe se në atë kohë nuk kishte as vende të punës të rregulluar me status.

Mirëpo, nga ana tjetër, punëtori tashmë i ndarë nga kolektivi në ndërtesën qendrore të ndërmarrjes publike Drejtorati për Ndërtim, mendon se kjo nuk është arsyeja e largimit të tyre, pasi në këtë ndërmarrje vazhdon punësimi në baza partiake.

“Arsyeje e thjeshtë, o mere librezën e PD-së, o priti të zezat që as në mendje nuk të shkojnë për një logjikë të shëndoshë! Sepse, këta pretendojnë të instalojnë logjikën e njëmendësisë, ate të bindjes së verbër politike. Dakord, po thojn ne ishim tepricë teknologjike?! Si ka mundësi që pas disa jave punësojnë punëtor të tjerë  nga fusha e arsimit, duke pasur jurist, ekonomist e inxhinier të ndërtimtarisë”, shprehet Murati.

Lidhur me këtë rast portali informativ Titulli ka kontaktuar edhe Këshillin për të Drejtat e Njeriut (KDNJ) me seli në Preshevë.

Zyra në fjalë në përgjigjen e kthyer thekson se në këtë rast dyshohet se kemi të bëjmë me shkelje të Nenit 16 pika 2 dhe Nenit 18 të Ligjit të Punës.

“Këshilli për të Drejtat e Njeriut shpreh shqetësimin e tij, lidhur me sistematizimin e ri të lokalitetit të punës, për 11 punëtorë të Drejtoratit për Ndërtim të Komunës së Bujanocit. KDNJ kërkon nga organet përgjegjëse, veçmas inspektoratin e punës, që ta shqyrtoj dhe ta trajtoj rastin në fjalë, ngase dyshon se mund të ketë elemente të shkeljes së Nenit 16 pika 2 dhe Nenit 18 të Ligjit të Punës, përkatësisht të normave ligjore, që kanë të bëjnë me obligimet e punëdhënësit dhe ndalimin e diskriminimit të punëtorit”, shkruan në përgjigjen e KDNJ-së.

Si duket as punëtorët të cilëve i është ndërruar lokaliteti i punës nuk kanë qëndruar duarkryq. Ata kanë njoftuar KDNJ me këtë rast, ndërsa janë duke grumbulluar të gjitha shkresat dhe veprimet e drejtorit kundrejt tyre.

“Paditë për mobing janë në përpilim e sipër, shumë shpejt do procedohen dhe do të kemi rastet e para në të gjithë Serbinë, kur shqiptarët diskriminojnë shqiptarët. Kjo, për fat të keq tonin sot është dukuri prezente tek ne në Drejtorat”, thekson Gëzim Murati.

Në pyetjen e gazetarit se a ndjehen të diskriminuar me këtë ndarje nga kolektivi, juristi pohoi se këtë vetëm se janë duke e përjetuar.

“Absolutisht po, ne jemi të diskriminuar skajshmërisht me të vetmen arsyeje, se e para jemi larguar nga puna pa bazë ligjore, këtë e ka vërtetu gjykata,e dyta jemi dërguar në hapësirë -ambient ku nuk ka as kushte elementare për punë. Ne, po besojmë që Zoti të na ruaj shëndetin, përndryshe mund ta shihni edhe vetë se këtu janë dritaret e para 30 viteve, sa hynë i ftohti, veçmas gjatë dimrit ne do marrim çdo sëmundje të mundshme. S’ka as ujë për higjienë!” , thekson ndër të tjera Murati. /Titulli.com/

"Shpërthejnë" kanalizimet, shiu rrëmbyeshëm vërshon Tërnocin (foto & video)
Sadriu: Liderët heshtnin si pula para Stankoviqit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration