KFOR për avionët në Preshevë: Rrini të qetë, nuk ka kurrfarë rreziku
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, informacione rreth fluturimit të avionëve ushtarakë mbi qiellin e Preshevës, por ka marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes.Në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, kryetari Arifi thekson se aeroplanët ushtarakë fluturuan shumë ulët, “mbi kulmet e shtëpive të banorëve të komunës sonë”, duke krijuar panik dhe pasiguri te qytetarët.
“Duke marrë parasysh që këto fluturime nuk ishin paralajmëruar dhe duke marrë parasysh edhe situatën e krijuar në rajon, unë në cilësinë e kryetarit të komunës kërkoj nga ju që në periudhën më të shkurtër të mundshme të na lajmëroni cilat janë arsyet që këta aeroplanë luftarakë kryen këto fluturime sipër hapësirës ajrore të komunës sonë, pasi këto fluturime shkaktuan shqetësime të qytetarëve tanë”, shkruan në letrën që kryetari i Komunës së Preshevës i ka drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në letrën dërguar kryetarit Arifi, Departamenti për Marrëdhënie me Publikun fillimisht thekson se Ministria e Mbrojtjes dhe ministri nuk komunikojnë nëpërmjet rrjeteve sociale, “sidomos kur imponohen çështje që duhet të zgjidhen në rrugë zyrtare”.
“Në shkresën dhe pyetjet që i bëni ministrit të Mbrojtjes ne u përgjigjemi me konfirmimin që tashmë ua kemi dhënë mediave që fluturimi i aeroplanëve mbi hapësirën ajrore të komunës së Preshevës është pjesë e aktiviteteve të rregullta të Ushtrisë së Serbisë dhe përgatitje për ushtrimin “Sadejstvo 2018”, i cili zhvillohet sot në poligonin ‘Pasulske Livade’”, thuhet në përgjigje.
“Ashtu siç bëjmë gjithmonë kur kemi të bëjmë me aktivitete të tilla, pikërisht për të mos shkaktuar shqetësim të banorëve. Me këtë rast reagoi edhe KFOR-i që u bëri thirrje banorëve të rrinë të qetë, pasi nuk ka kurrfarë rreziku”, thuhet në përgjigje.
“E gjithë kjo juve nuk ju mjaftoi dhe pikërisht ju me deklaratën tuaj ngritët tensione në opinion dhe te banorët. Me këtë qëndrim shprehët mosbesim, i cili sigurisht nuk i shërben jetës së qetë dhe të sigurt të qytetarëve të Republikës së Serbisë. Përkundrazi, ngre tensionet të cilat vetëm e dëmtojnë jetën normale të çdo qytetari, por edhe banorëve të Komunës së Preshevës. Sidomos shkakton dyshim në aktivitetet e rregullta, të planifikuara dhe të paralajmëruara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes dërguar kryetarit të Preshevës Shiprim Arifi.