Dita e Sulltan Nevruzit, shënohet edhe në Nesalcë të Bujanocit (video)
Dita e Sulltan Nevruzit është shënuar edhe në fshatin Nesalcë të komunës së Bujanocit përmes një ceremonie të organizuar në Teqën e Saadisë.Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka publikuar edhe një video në të cilën shihet atmosfera brenda teqes e cila gjendet në mes të fshatit dhe sipas tyrë ka një veprimtari mbi 2 shekuj.
“Nga Nesalca e Bujanocit jehon Ziqëri në Teqen e Saadisë. Drita e Besimit, në këtë çerdhe të devotshmërisë, e ndriçon terë lindjen e shqiptarisë”, thuhet në postimin e kësaj bashkësia në facebook.
21 marsi shënon fillimin e pranverës, po për shumë njerëz në botë është gjithashtu nisja e Sulltan Nevruzit, ose siç njihet ndryshe, Viti i Ri Persian.
Po çfarë është Sulltan Nevruzi?
Novruz në gjuhën persiane do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Kjo festë shënon gjithashtu ditën e parë në kalendarin Iranian.
Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qëndrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.
Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas kryejnë ritet fetare. Ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe sipas traditës besimtarët shpërndajnë qumësht dhe sherbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.
Në ditët e festës bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.
Ushqimet tradicionale të Nevruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës kush e gjen nga pjestarët e familjes e pret një vit i mbarë. Në tryezë nuk duhet të mungojë mishi i pjekur dhe sigurisht ëmbëlsira tradicionale që është hashurja.