Çezmat në Kosovë e burimet në Serbi
Kufiri që ndan shqiptarët në Malësinë e Karadakut ku dimrat janë bukur të ftohtë, po u sjell telashe banorëve të dy anëve.
Bora që ra së fundi rëndoi lisat në Malësinë e Karadakut. Disa nuk i përballuan peshës, duke u rrëzuar dhe dëmtuan telat e largpërçuesve, kurse banorët e fshatrave më të thella kufitare ngelën pa energji elektrike.
Kur bora zë e shkrihet, rritet niveli i ujit në lumin e Sllubicës, ku sivjet të reshurat ishin më të mëdha dhe shkatërruan rrjetin e ujësjellësit.
Banorët e Sllubicës dhe të lagjes së Rekalinjve pusin e ujit e kanë disa kilometra në lindje të fshatit, në afërsi të Maxheres, i cili është fshat në komunën e Preshevës, në brendi të territorit të Serbisë, shkruan sot gazeta "Zëri".
Uji, nga atje, nëpërmjet gypave, vjen në fshat. Çezma në afërsi të xhamisë së fshatit Sllubicë - ku ritet fetare deri vonë i kanë kryer edhe banorët e fshatrave të Preshevës, si Maxherja, Ilinca, Ranatoci, Garja etj., - edhe gjatë verës kishte ujë në dy çepat e saj.
Por, këtë dimër, kjo çezmë ngeli pa ujë. Kjo pasi sasia e madhe e ujit dhe vërshimet e sivjetme kishin dëmtuar gypat që e sillnin ujin nga burimi. /Titulli.com/