Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi, shqiptarët synojnë ulësen e deputetit
Në Serbi mbahen këtë të diel zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd.
Janë rreth 6 milionë e gjysmë shtetas serbë që do të kenë mundësi të votojnë.
Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë, raporton KosovaPress.
Në garë janë koalicioni i shqiptarëve të bashkuar, me kryesues të listës Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare, me kryesues liste Shqiprim Arifi.
Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në Kosovë të votojnë siç ka ndodhur vitet e shkuara, duke thënë se duan të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës.
Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.