Zgjedhjet, mesazhi i luginasve ndaj politikanëve!
Zgjedhjet e zhvilluara më 26 tetor për Këshill Kombëtar Shqiptar në Serbi, nxorën në pah shumëçka. Subjektet politike, pjesëmarrëse në këtë garë, filluan të trumbetojnë për fitoren e tyre, e cila nëse shikohet nga këndi tjetër mund të jetë për t’u vajtuar.
Shkruan: Argjend Goga
“Fituam në Bujanoc”, ne “Fituam në Luginë”... ishin këto qëndrimet që dolën pas kremtës së filluar për fitore, duke vazhduar me fishekzjarrë e deklarata për rritje të “partizanëve” në radhët e tyre, ndërsa “harruan” numrin e pjesëmarrësve, i cili, për ata që kanë analizuar këtë rezultat, paraqet një pasqyrë, sa të trishtë po aq edhe reale të gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Veç bojkotit, të cilën më shumë se çdo herë zgjodhën shqiptarët e Luginës, sidomos në komunë të Bujanocit që nga ardhja në pushtet e shqiptarëve, ata treguan edhe pjekuri politike, se vota e tyre ka vlerë më shumë se premtimet e liderëve shqiptarë, të cilat i bënin sa në Preshevë po aq edhe te shqiptarët e pakët në Medvegjë.
Jetësimi i Referendumit, flamuri, Abetarja, aplikimi zyrtar i shkrimit shqip..., premtime këto të dëgjuara gjatë kësaj fushate, më shumë për vota sesa të realizohen, po i kushton shqiptarëve me shpërngulje e zbrazje edhe të dy komunave tjera me shumicë shqiptare, Bujanocit e Preshevës.
Këtyre politikanëve “shurdhmemec” po i vije dëgjimi e të folurit njëherë në katër vite, e më pas simptomat e njëjta po i kthehen, nuk po dëgjojnë partinë e as kojshin. Kjo situatë si duket është pak brengosëse për parinë, që ditën flenë e natën prinë.
Ndoshta ishte deri sot, por kur tani shqiptarët po ikin e ata që po mbesin po vetëdijesohen, nuk do ta kenë të lehtë që t’i mashtrojnë si çdo katër vjet.
Qytetarët ia dërguan mesazhin spektrit politik shqiptarë, se veç bojkotit të pjesërishëm, Lugina po zbrazet, me shpërngulje sa drejt vendeve fqinje, aq më shumë drejt Evropës perëndimore.
Lugina ka nevojë për investime e vende të reja të punës, e këtë dëshirë drejtuesit lokal e qendrorë, ja “plotësojnë” këtij rajoni vetëm në fushata elektorale.
Mesazhi i shkurt, i qartë e në gjuhën shqipe kësaj here arriti në adresën e politikbërësve, të cilët nuk pritën shumë dhe ia kthyen luginasve, në letër e me shkrimin cirilik, edhe pse patën premtuar se do të shkruajnë shqip!
ОБÐВЕШТЕЊЕ... вaше бирачко меÑто... (NJOFTIM... qendra juaj e votimit), kështu fillonte ftesa zyrtare për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar, me adresën se ku duhet votuar e numrin rendor, që përveç emrit personal, nuk kishte një shkronjë në gjuhën shqipe.
Shqiptarëve të Luginës nuk iu përmbush ajo e drejtë e vogël elementare për t’u njoftuar në gjuhën amtare se ku duhet të votojë, ndërsa të drejtat tjera të premtuara nga listat e koalicionet, vështirë të shohin dritën e realizimit.
Autori i shkrimit është kryeredaktor i portalit informativ Titulli. Qëndrimet janë personale.