Analisti gjerman: Shkëmbimi i territoreve është mposhtur, marrëveshja finale krijon një Kosovë të re
Analisti gjerman në Këshillin për Politikë dhe Demokratizim në Berlin, Bodo Weber, gjatë vitit 2021 pret një rivendosje të vërtetë të dialogut dhe beson se marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë do të krijojë një Kosovë të re, ku komuniteti shqiptar dhe ai serb do të jetojnë të qetë pranë njëri-tjetrit.
Në një intervistë për portalin “Kosovo Online”, Weber tha se viti 2020, nga njëra anë, ishte edhe një vit i humbur në dialog, në kuptimin që nuk ka pasur negociata reale për një marrëveshje përfundimtare për tri vjet e gjysmë.
Nga ana tjetër, sipas Weber, 2020 ishte një vit në të cilin ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve u mposht përfundimisht. Sipas tij, kjo ide do të kënaqte vetëm interesat personale të dy presidentëve [Thaçit dhe Vuçqit] dhe disa përfaqësuesve të papërgjegjshëm të Perëndimit.
Weber vlerëson se kjo ide do të çonte në një eksod kolektiv të serbëve në jug të Ibrit dhe se veriu i Kosovës do të përfundonte, siç tha ai, në një Serbi autokratike me një status të ngjashëm me Kurshumlinë”, transmeton Telegrafi.
Sipas analistit gjerman, rivendosja e dialogut duhet të çojë në fillimin e negociatave të mirëfillta për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bazuar në parimet nga viti 2014, të cilat ai thotë se atëherë u pranuan nga Beogradi, respektivisht se koha për ndryshimin e kufijve në Ballkan ka kaluar.
Weber beson se Serbia duhet t’i kthehet politikës reale bazuar në faktin se, vetë është përgjegjës për humbjen e Kosovës dhe se fokusi i dialogut duhet të jetë në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të serbëve në Kosovë.
“Unë besoj se pasi është vendosur korniza dhe parimet e negociatave, e cila përfshin, e këtë e di edhe presidenti Vuçiq, njohjen e Kosovës nga Serbia në një proces të gjatë të zbatimit të marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet të përfundojë me pranimin e Serbisë në BE, do të gjendet zgjidhje reale për të gjitha temat e hapura bilaterale, duke përfshirë edhe këtë [njohjen e Kosovës nga Serbia]”, tha Weber.