Vuçiq: Serbia nuk është në pozicionin që të refuzojë takimin e Shtëpisë së Bardhë
Qeveria serbe nuk ka refuzuar ftesën për pjesëmarrje në takimin që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, i cili u njoftua nga emisari special i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar pjesëmarrjen në takimin e 2 shtatorit në Uashington, të cilin sot e ka bërë të ditur emisari special i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.
Vuçiqi tha për mediat serbe se Serbia nuk është në pozicionin që të refuzojë këtë takim dhe të tjerët.
Ai ka konfirmuar, njëjtë sikurse kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, se temë e bisedimeve do të jenë çështjet ekonomike.
“Në negociata marrin pjesë, tema do të jetë ekonomia, kjo është e rëndësishme për ne dhe është temë e mirë”, tha Vuçiqi, përcjell “B92.net”.
Kreu i shtetit serb ka thënë se Kosova merr pjesë në bisedime për shumë arsye, ndër të tjera, sipas tij, për të treguar edhe se është shtet i pavarur.
“Duan të tregojnë se janë shtet i pavarur, kështu i trajton SHBA-ja, por edhe në Bruksel. Ne nuk do t’i trajtojmë kështu”, ka thënë Vuçiqi.
Sipas tij, ai ia ka tërhequr vërejtjen Hotit “të ndalet pak, pasi Kosova është pjesë e Serbisë”.