Vuçiq falënderon Escobarin dhe Lajçakun për "atmosferë neutraliteti" në dialog
Lokale

Vuçiq falënderon Escobarin dhe Lajçakun për "atmosferë neutraliteti" në dialog

02.Feb.2022 23:09
0

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka falënderuar të mërkurën të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për angazhimin e tyre personal në dialog dhe ka konsideruar se qasja e tyre pragmatike siguron atmosferë neutraliteti.

Vuçiq është takuar në Beograd me të dy zyrtarët për të diskutuar edhe për stabilitetin e rajonit, si dhe për përparimin ekonomik të Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, ka thënë presidenca serbe përmes një komunikate.

Sipas Vuçiqit, autoritetet në Prishtinë po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të shmangur përmbushjen e obligimeve të tyre përmes provokimeve të njëanshme gjë që, sipas presidentit serb, e pengon shumë ecurinë e mëtutjeshme të bisedimeve.

Escobar dhe Lajçak është thënë të kenë ofruar mbështetjen e tyre për vazhdimin e dialogut konstruktiv si dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

 

Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha detyrimet që parasheh dialogu.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Zyrtarët perëndimorë vizitojnë Beogradin pas vizitës treditëshe në Prishtinë.

Dy diplomatët perëndimorë e kanë inkurajuar edhe Kosovën që të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ata po ashtu kanë thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në Bruksel duhet të zbatohen.

 

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.

Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkak i bllokadës.

Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.

Qeveria aktuale e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul në krijim e tij.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration