Votimet në Tërnovc të Madh dhe lufta për një mandat në Kuvendin e Serbisë
Për partitë e pakicave në Serbi nuk vlen pragu prej 3%. Për rrjedhojë, këto parti mund të fitojnë mandate në Kuvendin e Serbisë me më pak vota.
Sipas vlerësimeve që citohen më së shpeshti, në Serbi jetojnë rreth 60,000 shqiptarë - kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në Serbinë jugore.
Në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Serbi, në qershor të vitit 2020, partitë shqiptare kanë qenë në një koalicion dhe kanë fituar tri mandate parlamentare. Dy vjet më vonë, ato kanë vendosur të garojnë me dy lista - “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, dhe “Alternativa për Ndryshim - Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga Shqiprim Arifi.
Në deklarimet e para, pas zgjedhjeve të 3 prillit, të dyja listat zgjedhore kanë thënë se nuk e kanë kaluar pragun dhe se shqiptarët nuk do të kenë përfaqësues në Kuvendin e ri të Serbisë.
Megjithatë, më 21 prill, Gjykata Administrative në Nish ka urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnovc të Madh, për shkak të parregullsive. Këtu, pastaj, edhe ka filluar seria e përsëritjeve.
Zgjedhjet janë përsëritur për herë të parë më 28 prill. Në këtë ditë kanë votuar 697 nga gjithsej 1,089 votuesit me të drejtë vote - domethënë, pjesëmarrja ka qenë 64 për qind.
Lista zgjedhore “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ka fituar më shumë vota: 677. Një gjë e tillë do t’i siguronte asaj një mandat në Kuvendin e Serbisë, sikur këto rezultate të mos kontestoheshin.
Kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve e ka paraqitur përfaqësuesi i listës së Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq. Pasi SPS-ja është ankuar se ka votuar edhe një votues që nuk ka pasur dokumente të vlefshme personale, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ka urdhëruar një votim të ri.
Zgjedhjet në Tërnovc të Madh janë mbajtur sërish më 27 maj. Atë ditë kanë votuar 618 nga 1,089 votues me të drejtë vote.
Rezultatet kanë qenë ndryshe nga hera e mëparshme. “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ka fituar këtë herë 598 vota. Atij i janë dashur edhe 12 vota për të kaluar pragun dhe për të fituar mandatin parlamentar.
“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, më pas, ka kontestuar votimin, duke thënë se një person është lejuar të votojë pa letërnjoftim.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve e ka hedhur poshtë ankesën, por Gjykata Administrative ka urdhëruar votim të ri.
Lufta për një mandat
Për të hyrë në Kuvendin e Serbisë, “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” i nevojiten 610 vota në vendvotimin numër gjashtë në Tërnovc të Madh, me kusht që SPS-ja të mos marrë asnjë votë, pasi kjo do ta rriste pragun zgjedhor.
Në atë rast, socialistët do të humbnin një mandat në Kuvend dhe do t’i kishin 31 deputetë, ndërsa një mandat do t’i takonte koalicionit shqiptar.
“Nuk e di se përse është kaq e rëndësishme për SPS-në, sepse i ka 31 mandate... Pse tani, kur nuk kanë vota, përpiqet kaq shumë që të na pamundësojë atë një deputet? Është e paqartë për mua”, thotë Kamberi.
Odalloviq, në anën tjetër, thotë se SPS-ja këmbëngul që procesi zgjedhor në Tërnovc të Madh të përfundojë në mënyrë të ligjshme.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 20 qershor se për të nuk është plotësisht e qartë se çfarë po ndodh me zgjedhjet në Tërnovc të Madh.