Vetëm në Bujanoc, konkursi anulohet ndërsa aplikacionet pranohen!!! (foto-dokument)
Këshilli Komunal në Bujanoc sot ka shkarkuar dhe emëruar Komision të ri për ndarjen e mjeteve për Organizata jo Qeveritare (OJQ), mirëpo administrata ka vazhduar të pranojë formularët për konkursin e hapur më 26 maj i cili ishte prishur vetëm 4 ditë pasi që ishte hapur.
Ish komisioni për ndarjen e mjeteve për OJQ i cili ishte përgjegjës për mbarëvajtjen e konkursit, në mbledhjen e mbajtur më 30 maj kishte anuluar konkursin për shkak të shkeljeve (ndryshimeve) të bëra pa pëlqimin e Komisionit.
Mirëpo edhe pse konkursi konsiderohej i mbyllur, vendimi në fjalë, në bazë të fakteve që ka portali informativ Titulli, nuk është zbatuar nga ana e punëtorëve të administratës, të cilët kanë vazhduar të pranojnë formularët për aplikim për ndarjen e mjeteve nga buxheti i komunës së Bujanocit për projektet me interes të përbashkët shoqëror (OJQ) deri më 13 qershor.
Për të vërtetuar edhe më shumë këtë, kemi vendimin e sotëm të Këshillit Komunal të komunës së Bujanocit, i cili nën udhëheqjen e kryetarit Nagip Arifi sot shkarkoi dhe më pas emëroi anëtarët e rinj në Komisionin për OJQ, me kryetar Bejxhet Selimin, pasi që anëtarët e Komisionit të mëparshëm, siç kishte thënë edhe ish kryetari Zylqefli Sherifi, përveç që kishte anuluar konkursin kishte dhënë edhe dorëheqje.
Për më tepër, prishjen e konkursit e ka konfirmuar edhe Arbër Pajaziti, ish anëtarë i Komisionit të parë për OJQ dhe njëherit shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit.
Ai, në faqen e Titullit në rrjetin social Facebook, më 30 maj, në ditën e anulimit të konkursit, kishte thënë se: “ka qenë kundër prishjes së konkursit dhe ka kërkuar që të i drejtohet me shkrim KLER-it për rastin në fjalë dhe pas përgjigjes zyrtare të merren hapat e mëtutjeshme. Prezent kanë qenë 6 nga 7 anëtarë dhe 5 kanë votuar për prishjen e konkursit ndërsa kam kërkuar përgjegjësi para prishjes”, thekson Pajaziti duke nënvizuar se ka komentuar për hirë të “saktësisë dhe objektivitetit”.
Derisa vet zyrtarët komunal kërkuan “përgjegjësi” rreth këtij konkursi, ishin edhe disa prej aplikuesve që me anonimitet i kanë thënë portalit informativ Titulli se konkursi ishte me prapavijë dhe përmbante shkelje, disa prej të cilave i kishte identifikuar edhe Komisioni për OJQ.
Titulli më herët kishte raportuar rreth kësaj afere, derisa tani kur zbardhen edhe detajet tjera, sidomos me pranimin e formularëve për një konkurs të anuluar, hetimet duhet të zgjerohen./Titulli.com/