Veseli i gëzohet rezultatit të shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar pas lajmeve se partitë shqiptare të cilat garuan në një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit në Serbi, pritet t’i kenë të paktën 4 ulëse në kuvendin e Serbisë.
Veseli këtë e ka quajtur fitore të rëndësishme politike për shqiptarët në Serbi, ndërsa ka thënë se pret që kjo fitore edhe t'i sjellë të mira popullatës në atë pjesë.
“E kaluara e lavdishme e popullit shqiptar, ka treguar se sa herë janë bashkuar shqiptarët, kanë triumfuar. Kështu është edhe rasti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Rezultatet zgjedhore në Serbi, tregojnë për një fitore të rëndësishme politike, për motrat dhe vëllezërit tanë matanë kufirit. Uroj që ky bashkim i spektrit politik shqiptar, t'i sjell të mira popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Veseli në Facebook.