Verifikim të lajmeve: 'Mashtrimet' e opinionit nga politikanët kosovarë dhe serbë
Në 20 ditët e fundit, zyrtarë politikë nga Kosova dhe Serbia kanë akuzuar njëri-tjetrin për “gënjeshtra” dhe “përhapje të dezinformatave”, ndërsa opinioni në të dyja vendet po paralajmërohet se “pala tjetër” po e shkel Marrëveshjen e Brukselit.
Retorika e tillë po ndodh në kohën kur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë rritur, pasi serbët lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, më 31 korrik ngritën barrikada për t’i penguar autoritetet e Kosovës t’i zbatojnë vendimet për të riregjistruar automjetet në targa RKS dhe për lëshimin dokumenteve për hyrje/dalje për shtetasit e Serbisë.
Të dyja palët u përpoqën të arrijnë një marrëveshje në Bruksel për këto çështje, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa sukses. Tash për tash, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po heq dorë nga politika e reciprocitetit, e cila për Serbinë është e papranueshme.
Radio Evropa e Lirë (REL) verifikoi se sa të sakta apo të bazuara ishin deklaratat e zyrtarëve kosovarë dhe serbë.
Dyshime për dokumentin për hyrje/dalje?
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, në një konferencë për media, më 16 gusht, tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje nënkupton se Prishtina dëshiron t’i bëjë serbët e Kosovës të huaj dhe t’i “dëbojë nga vatrat e tyre shekullore”.
Në të njëjtën konferencë për media, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “i detyron serbët në Kosovë të heqin dorë nga shteti i tyre, nga dokumentet serbe”. Mesazhe të ngjashme u dëgjuan pothuajse në çdo fjalim të mëparshëm apo të mëvonshëm të zyrtarëve të lartë serbë.
E pasaktë
Lëshimi i dokumentit për hyrje/dalje është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes në vitin 2011 dhe zëvendëson dokumentet personale vetëm përkohësisht, gjegjësisht derisa shtetasi i Kosovës ose i Serbisë qëndron në territorin e vendit tjetër.
Përdorimi i atij dokumenti nuk nënkupton që dikush ka hedhur poshtë dokumentet e vendit të tij.
Sa mirë i mbron Kosova të drejtat e pakicave?
Në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, më 24 gusht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “serbët në Kosovë jetojnë më mirë se në Serbi, në kuptimin e karakterit të shtetit”.
“Besojini Qeverisë së Kosovës, e cila vetëm po e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pa diskriminim, pa dallime mbi baza të nacionalitetit ose ndonjë bazë tjetër”, ka thënë Kurti, duke iu përgjigjur njërës prej pyetjeve të gazetarëve nga radhët e komunitetit serb.
E pasaktë
Në periudhën paraprake, organizatat ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje Kosovës që t’i respektojë më shumë të drejtat e pakicave.
Në raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2021, ndër të tjera thuhet se autoritetet në Prishtinë duhet të bëjnë më shumë për “të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e pakicave”.
Gjithashtu, bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare, vite me radhë i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të realizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2018, sipas të cilit u konstatua se 24 hektarë tokë dhe pyll i takojnë Manastirit ortodoks të Deçanit, në perëndim të Kosovës.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të formës së prerë dhe obliguese për të gjitha palët, por sipas vlerësimit të kryeministrit të Kosovës, vendimi për manastirin bazohet në “politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë nga viti 1997”, kur toka, e cila kontestohet, iu dhurua manastirit.
A lejohet Policia e Kosovës të shkojë në veri?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 23 gusht se nuk do të kishte tensione në Kosovë në qoftë se Prishtina do t’i përmbahej marrëveshjes se “forcat speciale të Kosovës mund të kalojnë në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët”.
E pasaktë
Opinioni nuk ka njohuri për ndonjë marrëveshje që forcat speciale të Kosovës nuk lejohen të shkojnë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës pa miratimin e NATO-s.
Ekzistojnë vetëm letrat e shkëmbyera, në vitin 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Andreas Fogh Rasmussen.
Asokohe, Thaçi premtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të vendit, pa pëlqimin e misionit ushtarak paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Më herët, NATO-ja ka konfirmuar për REL-in se “çdo lëvizje e Forcës së Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, kërkon njoftimin paraprak dhe pëlqimin e komandantit të KFOR-it”.
Por, kjo nuk vlen për Policinë e Kosovës apo Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës.
Kur u hoqën targat KS dhe pse?
Polemika ka pasur edhe për përdorimin e targave RKS (Republika e Kosovës) apo targave KS (neutrale ndaj statusit) për vetura.
Së pari, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 31 korrik theksoi se “Prishtina dëshiron të thotë se nuk ekzistojnë më targa KS, të cilat Beogradi i pranon, por vetëm targa RKS, për të treguar se janë shtet sovran”.
E pasaktë
Targat KS, të cilat ishin neutrale ndaj statusit, nuk janë lëshuar që nga shtatori i vitit 2021, kështu që praktikisht ato nuk ekzistojnë tash. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e viti 2011 parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat me shenjat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, neutrale ndaj statusit).
“Si masë e përkohshme, autoritetet në Kosovë do të zgjasin vlefshmërinë e targave KS për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh, pas së cilës të dy palët do ta rishqyrtojnë këtë çështje (me ndërmjetësimin e BE-së, nëse është e nevojshme)”, thuhet në marrëveshje.
Ndërkaq, më 24 gusht, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se targat KS (neutrale ndaj statusit) kanë qenë të vlefshme deri në shtator të vitit 2021.
“Kurti tregoi se as vetë nuk e di se çfarë po flet dhe u zu me një gënjeshtër tjetër të majme, sepse ato targa janë anuluar në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme nga Prishtina më 17 shtator 2020, pra një vit para kalimit të afatit, pas së cilës ishte planifikuar që kjo temë të diskutohej dhe të kërkohej zgjidhje”, tha Petkoviq.
E pasaktë
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 ka anuluar udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshohen më nga shtatori i vitit 2021.
Të gjithë ata që në atë kohë kishin veturë të regjistruar me targa KS, mund ta drejtonin atë deri në skadimin e regjistrimit, pra deri në shtator të vitit 2021, kur autoritetet e Kosovës filluan të lëshonin vetëm targa RKS (Republika e Kosovës).
Çfarë ka thënë saktësisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Zyrtarët serbë, në shumë dalje publike gjatë muajve të kaluar, kanë thënë se politika e Albin Kurtit bazohet në refuzimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin është arritur marrëveshja në Bruksel.
Më 15 gusht, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i tha shërbyesit publik të Kosovës në gjuhën serbe (RTK) se Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se Asociacioni nuk është në harmoni me ligjet e Kosovës.
“Nuk mund të ekzistojë një krijesë antikushtetuese, një krijesë që është shtet brenda shtetit. Nuk do të lejojmë që Kosova të jetë shtet jofunksional”, tha Sveçla, duke iu referuar gjatë gjithë kohës vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
E pasaktë
Formimi i Asociacioni i komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, në vitin 2013, e cila u arrit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Detajet specifike janë harmonizuar më tej me parimet/elementet e përgjithshme, në vitin 2015.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2015 konstatoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht të harmonizuara me Kushtetutën e Kosovës, por, siç u shtua nga kjo gjykatë, ato mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës dhe me statut.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës asnjëherë nuk ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të formohet kurrë, siç deklarojnë shpesh publikisht disa zyrtarë të Kosovës.
A i arreston Policia e Kosovës vetëm serbët?
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha se autoritetet e Kosovës gjithmonë do të gjejnë mënyra për t’i paraqitur serbët si kriminelë dhe si shembull përmendi luftën kundër ndërtimeve pa leje në komunën e tij.
“Dhe në këtë mënyrë do të na gjejnë disa litra qumësht nga Serbia ose aferën e shpikur lidhur me kamerat për spiunim, apo luftën kundër ndërtimit ilegal dhe ja mrekullia vetëm në një mjedis serb në Kosovë!?”
E pasaktë
Në kuadër të aksioneve që ndërlidhen me rastin “Brezovica”, që filluan të zbatohen në dhjetor të vitit të kaluar, janë arrestuar dhjetëra zyrtarë lokalë, por edhe disa zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në mesin e tyre ka edhe shqiptarë të Kosovës dhe të gjithë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti për lëshimin e lejeve të ndërtimit në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, në jug të Kosovës.
Deri më tani, arrestimet janë kryer në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe në lokacione të tjera në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.
Në të njëjtin operacion, vitin e kaluar u arrestua edhe Bratislav Nikoliq, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.
Roli i gazetarëve është "kyç në momentet e krizës”
Pikërisht për shkak të “dezinformatave në terren”, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimeve për targa dhe dokumente.
“Shpresojmë se do të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe kolegët nga Bashkimi Evropian, për të siguruar që marrëveshjet të kuptohen më mirë dhe në atë mënyrë të ulen tensionet”, ka thënë më herët Hovenier.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias nga Prishtina dhe këshilltare ligjore në Qendrën evropiane për lirinë e shtypit dhe medias, thekson se përhapja e informacionit të rremë është shumë e rrezikshme dhe se retorika e politikanëve lehtë mund të rrisë më tej tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Politikanët e bëjnë këtë për përfitime politike dhe jo sepse kujdesen për votuesit e tyre. Në situata të tilla, roli i gazetarëve bëhet vendimtar. Është përgjegjësi e gazetarit të sigurojë që të mos ofrojë platformë për lajmet e rreme, në atë mënyrë që të kontrollojë tri herë faktet përpara publikimit, duke kontaktuar burime të ndryshme, duke parë dokumente, duke shmangur artikujt ‘copy-paste’, duke respektuar detyrimet etike dhe të kërkojë falje pa rezerva atëherë kur bën gabim”, thotë Kusari për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më transparente në punën dhe bashkëpunimin me gazetarët, në mënyrë që qytetarët, përfshirë edhe ata të komunitetit serb, të informohen me kohë për planet.
Drejtori i Radio Televizionit Mir nga Leposaviqi, në veri të Kosovës, Nenad Radosavleviq, konsideron se Beogradi i “menaxhon” mediat në Serbi, të cilat më së shumti ndiqen nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë dhe shton se media të tilla shërbejnë si “altoparlantë propagandues dhe shqetësues të opinionit”.
“Është për të ardhur keq që në periudhën e kaluar nuk arritëm në asnjë mënyrë të shtypim aktivitetin e altoparlantëve propagandues dhe as të krijojmë një klimë të shëndetshme në mediat që nuk i takojnë regjimit. Është dëm, sepse në këtë situatë dëmi, përveç nga pushtet-mbajtësi Aleksandar Vuçiq, mund të krijohet edhe për shkak të mediave, të cilat përmes makinerisë propagandistike do ta zhvillojnë ndjenjën e panikut. Ky panik mund të çojë në përshkallëzim”, thotë Radosavljeviq.
Në raportin e fundit të Indeksit botëror të lirisë së medias, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (Reporters Without Borders), në mes të këtij viti, konstatohet se situata në Ballkanin Perëndimor nuk ka ndryshuar në mënyrë drastike në krahasim me raportin e mëparshëm.
Përveç Serbisë dhe Kosovës, vendet e tjera të rajonit radhiten si problematike kur bëhet fjalë për lirinë e medias.