Verdikti i qytetarëve dhe interesat ditore
Lokale

Verdikti i qytetarëve dhe interesat ditore

25.Jan.2015 11:07
0

Kur duhet ta arsyetojnë ndonjë veprim të vetin, drejtuesit e institucioneve thirren se kanë verdiktin e popullit, kur duhet ta realizojnë verdiktin, si në rastin e emërtimit të sheshit të Bujanocit, harrojnë verdiktin, prapa interesave të politikës ditore dhe interesave personale.

Shkruan: Shaip Kamberi

Shpeshherë, kur, në mungesë të argumenteve, dojnë ta arsyetojnë ndonjë veprim të vetin politik, bartësit e institucioneve publike, përdorin floskulën e njohur “ne kemi verdiktin e popullit”. Në të vërtetë, çdo herë kur duhet, për ndonjë veprim edhe të merret “verdikti” ai, në të shumtën e rasteve, për interesa të politikës ditore, anashkalohet  dhe shpërdorohet.

Një rast tipik i këtyre sjelljeve është iniciativa për emërtimin e sheshit të Bujanocit, me emrin “Skënderbej”, propozim ky që nuk u fut në rend dite për të vetmen arsye të mos hidhërimit të partnerëve serb të koalicionit. Arsyetimi për këtë veprim të drejtuesit të Kuvendit, kryetarit të KKSH, Jonuz Musliu, ishte i thjeshtë “s’është koha”.

Por, faktet dhe verdikti i popullit flasin të kundërtën. Prandaj edhe kryetari i shumëzuar duhet ta ketë parasysh verdiktin e popullit edhe në rastin kur partnerët e koalicionit do ta rrezikojnë ta “fryejnë” nga postet që mbanë. Më mirë kjo se ta fryejë populli një ditë.

Një anketë e realizuar, këto ditë, nga portali “Titulli.com” flet qartë se cili është disponimi dhe dëshira e qytetarëve sa i përket emërtimit të sheshit kryesorë të qytetit. Nga 2246 qytetarë të cilët kanë shprehur vullnetin e vet në këtë anketë, 1831 prej tyre kanë dhënë mendimin e vet se sheshi duhet të ketë emërtimin “Skenderbej”, propozim ky i dalë nga këshilltarët e PVD dhe UDSH.  Vetëm 404 prej tyre janë për propozimin që sheshi të quhet “Sheshi i tolerancës” propozim ky i dalë nga PD dhe LPD. Ndërkohë që emërtimi “Karagjorgje” është bërë demode për Bujanocin flet fakti se vetëm 11 të anketuar kanë përkrahun emërtimin aktual.

Refuzimi i vazhdueshëm i futjes në rend të ditës të kësaj teme, të cilësuar si të “nxehtë” brenda koalicionit qeverisës në Bujanoc, i humb legjitimitetin kryetarit të kuvendit të Bujanocit i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKSH. Është edhe i pakuptueshëm fakti i refuzimit të kësaj teme, meqë korniza ligjore pozitive (ajo që është në fuqi) si e ligjeve të brendshme të Serbisë, si Konventat nënshkruese dhe ratifikuese e të cilave është Serbia, parasheh të drejtën e pakicave, që në territoret në të cilat ato jetojnë, toponimet dhe emërtimet e rrugëve e shesheve t’i bëjnë sipas traditës dhe me emra nga historia e kultura e tyre kombëtare.

Shumë herë është thënë se nëse në Beograd ka rrugë me emërtimin “Skënderbegova”, pse të ekzistojë arsyeja që në Bujanoc, atje ku shqiptarët e përbëjnë shumicën e popullatës të komunës, kjo e drejtë t’i refuzohet.

Meqë, për këtë refuzim nuk ka arsyetim të shëndoshë ligjor dhe politik, konstatimi i vetëm që mbetet është se edhe ne kemi Jabllanoviçat e tanë.

 

Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI

(Autori është deputet nga komuna e Bujanocit në Parlamentin e Serbisë)

Zyra për Luginë në Gjilan pret ndryshimet ligjore (Video)
Pesë vjet me revistën letrare "Qëndresa" në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration