Verdikti i qytetarëve dhe interesat ditore
Kur duhet ta arsyetojnë ndonjë veprim të vetin, drejtuesit e institucioneve thirren se kanë verdiktin e popullit, kur duhet ta realizojnë verdiktin, si në rastin e emërtimit të sheshit të Bujanocit, harrojnë verdiktin, prapa interesave të politikës ditore dhe interesave personale.
Shkruan: Shaip Kamberi
Shpeshherë, kur, në mungesë të argumenteve, dojnë ta arsyetojnë ndonjë veprim të vetin politik, bartësit e institucioneve publike, përdorin floskulën e njohur “ne kemi verdiktin e popullit”. Në të vërtetë, çdo herë kur duhet, për ndonjë veprim edhe të merret “verdikti” ai, në të shumtën e rasteve, për interesa të politikës ditore, anashkalohet dhe shpërdorohet.
Një rast tipik i këtyre sjelljeve është iniciativa për emërtimin e sheshit të Bujanocit, me emrin “Skënderbej”, propozim ky që nuk u fut në rend dite për të vetmen arsye të mos hidhërimit të partnerëve serb të koalicionit. Arsyetimi për këtë veprim të drejtuesit të Kuvendit, kryetarit të KKSH, Jonuz Musliu, ishte i thjeshtë “s’është koha”.
Por, faktet dhe verdikti i popullit flasin të kundërtën. Prandaj edhe kryetari i shumëzuar duhet ta ketë parasysh verdiktin e popullit edhe në rastin kur partnerët e koalicionit do ta rrezikojnë ta “fryejnë” nga postet që mbanë. Më mirë kjo se ta fryejë populli një ditë.
Një anketë e realizuar, këto ditë, nga portali “Titulli.com” flet qartë se cili është disponimi dhe dëshira e qytetarëve sa i përket emërtimit të sheshit kryesorë të qytetit. Nga 2246 qytetarë të cilët kanë shprehur vullnetin e vet në këtë anketë, 1831 prej tyre kanë dhënë mendimin e vet se sheshi duhet të ketë emërtimin “Skenderbej”, propozim ky i dalë nga këshilltarët e PVD dhe UDSH. Vetëm 404 prej tyre janë për propozimin që sheshi të quhet “Sheshi i tolerancës” propozim ky i dalë nga PD dhe LPD. Ndërkohë që emërtimi “Karagjorgje” është bërë demode për Bujanocin flet fakti se vetëm 11 të anketuar kanë përkrahun emërtimin aktual.
Refuzimi i vazhdueshëm i futjes në rend të ditës të kësaj teme, të cilësuar si të “nxehtë” brenda koalicionit qeverisës në Bujanoc, i humb legjitimitetin kryetarit të kuvendit të Bujanocit i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKSH. Është edhe i pakuptueshëm fakti i refuzimit të kësaj teme, meqë korniza ligjore pozitive (ajo që është në fuqi) si e ligjeve të brendshme të Serbisë, si Konventat nënshkruese dhe ratifikuese e të cilave është Serbia, parasheh të drejtën e pakicave, që në territoret në të cilat ato jetojnë, toponimet dhe emërtimet e rrugëve e shesheve t’i bëjnë sipas traditës dhe me emra nga historia e kultura e tyre kombëtare.
Shumë herë është thënë se nëse në Beograd ka rrugë me emërtimin “Skënderbegova”, pse të ekzistojë arsyeja që në Bujanoc, atje ku shqiptarët e përbëjnë shumicën e popullatës të komunës, kjo e drejtë t’i refuzohet.
Meqë, për këtë refuzim nuk ka arsyetim të shëndoshë ligjor dhe politik, konstatimi i vetëm që mbetet është se edhe ne kemi Jabllanoviçat e tanë.
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI
(Autori është deputet nga komuna e Bujanocit në Parlamentin e Serbisë)