Vazhdoi dialogu mes qeverisë së Serbisë dhe shqiptarëve në Bujanoc e Preshevë (foto)
Në ambientet e fakultetit ekonomik në Bujanoc është zhvilluar raundi i dytë i dialogut për planin 7 pikësh mes përfaqësuesve institucional në komunat Bujanoc dhe Preshevë dhe ministrive përkatëse në Beograd.
Ambasadori i OSBE-së në Serbi që mori pjesë në këtë takim, Jan Braathu falënderoi ministritë dhe partnerët e tjerë për përpjekjet e tyre për të mbështetur dialogun dhe për të përmirësuar më tej integrimin e shqiptarëve etnikë, një shenjë e përkushtimit për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Serbisë.
“Misioni i OSBE-së në Serbi mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur dialogun mbi planin 7 pikësh për të arritur rezultate konkrete dhe për të adresuar çështjet thelbësore për pakicën shqiptare si p.sh përfaqësimi i pakicave në gjyqësor, shëndetësi dhe institucione të tjera publike”, thuhet në njoftimin e OSBE-së të publikuar në Facebook.
Më tej thuhet gjithashtu se një përfaqësim i shtuar i grave dhe burrave të komuniteteve pakicë në institucionet publike do të rrisë kohezionin social të komuniteteve në Serbinë jugore dhe integrimin e tyre më të mirë në shoqërinë serbe.
Ky takim është organizuar nga Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe Shërbimi nga Trupi Koordinues i qeverisë së Serbisë./Titulli.com/