UGLP dënon therjen e gazetarit të "KlanKosova"
Unioni i Gazetareve të Luginës së Preshevës (UGLP) dënon ashpër sulmin ndaj gazetarit të televizionit "KLAN Kosova", Milot Hasimja në vendin e tij të punës. Unioni me këtë rast solidarizohet me mbi 100 kolegët gazetarë nga Kosova të cilët protestuan kundër dhunës ndaj gazetarëve.UGLP vlerëson se rasti i sulmit të gazetarit Milot Hasimja duhet sa më shpejtë të procesohet nga organet kosovare të drejtësisë dhe të shërbejë si pikë kthese për krijimin e sigurisë në punën e shenjtë të gazetarëve.
"Rasti i therjes me thikë të gazetarit Hasimja derisa ishte duke punuar, dëshmon për ambientin e pasigurtë në të cilin punojnë gazetarët, jo vetëm në Kosovë por edhe në Luginën e Preshevës", thuhet në kumtesën e UGLP-së.
UGLP kërkon që të ndërpriten kërcënimet, presionet dhe të gjithë format e shantazheve politike ndaj gazetarëve. Përderisa autorët dhe frymëzuesit nuk hetohen dhe ndëshkohen; ky trend shqetësues në rritje vetëm se do të përkeqësohet. Si në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni; edhe në Luginën e Preshevës, gazetarët vendorë ballafaqohen vazhdimisht me presione të këtilla, që e pengojnë ushtrimin e profesionit të gazetarëve për të raportuar në mënyrë profesionale./Titulli.com/