Thaçi: Kosova nuk ndahet! Korrigjimi i kufijve, i nevojshëm. Presheva na bashkohet!
“Kurrë nuk do të ndodhë!”. Samiti i Diasporës reagoi me ovacione kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u përbetua se nuk do të bëjë “pazar” me serbët për shkëmbim territoresh.
Nga ana tjetër, Thaçi nënvizoi se korrigjimi i kufijve është i nevojshëm për të bërë pjesë të Kosovës edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Korrigjim i kufijve? Po, sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin tim për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës, pa cënuar territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi më tej Thaçi.
Ai përsëriti se nuk pranon që pjesë e procesit të dialogut të bëhet edhe Rusia, ndërsa refuzoi idenë e një unioni ballkanik, duke e cilësuar atë të rrezikshme.
“Ideja për ndonjë union ballkanik është cënim i kombit tonë, është cënim i vlerës euroatlantike të orientimit tonë. Ideja për një union ballkanik është rikthim prapa për kombin tonë”, tha Thaçi.
Pjesëmarrës në samit ishte edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, që u bëri thirrje shqiptarëve në Tuz të marrin shembullin e atyre në Maqedoninë e Veriut dhe të bashkohen për të mirën e tyre.