Lokale
Tërnoc: Shkolla gati, shiriti prehet më tre shtator (foto)
Tre shtatori do të jetë “dita e madhe” kur në mënyrë solemne do të hapet shkolla fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc në lagjen e Strukarëve, me një investim milionësh që përmbush standardet evropiane.
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij dhe drejtorin e kësaj shkolle, sot kanë inspektuar punimet përfundimtare që janë duke u ekzekutuar në objektin e këtij institucioni arsimor.
Shtatori po afrohet, nxënësit dhe gjeneratat e reja nga lagja e Strukarëve në fshatit Tërnoc do të kenë fatin që të përfitojnë dijen në një ambient shkollor me kushtet më evropiane që ka ndonjë shkollë në vend dhe rajon.
Kryetari Arifi gjatë vizitës së kësaj shkolle për Titullin ka sqaruar dhe ditën e hapjes solemne të kësaj shkolle që është më tre shtator duke thënë se në të do të marre pjesë edhe delegacioni nga Turqia.
“Një delegacion i përfaqësuesve të bizneseve nga Stambolli dhe Ankaraja që janë kryesisht me prejardhje nga Lugina e Preshevës, përfaqësues të organizatës Tika me seli në Beograd por edhe ambasadori i Turqisë, disa ministra nga Qeveria si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike të Luginës së Preshevës, më tre shtator do të marrin pjesë në hapjen e veçantë dhe shumë solemne, një investim shumë i madh të cilin populli turk e ka bërë këtu në komunën e Bujanocit, e pikërisht në fshatin Tërnoc”, ka thënë Arifi, raporton Titulli.
“Delegacioni i biznesmenëve nga Turqia në një takim pune të veçantë, më tre shtator do të bisedojë me kryetarin Arifi për situatën ekonomike dhe mundësit e bashkëpunimit”, deklaroi Koordinatori i zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Bujanoc, Nexhat Behluli.
Organizata Ndërkombëtare turke “TIKA”, sipas kryetarit Arifi, deri në këto momente ka investuar 1 milion e 30 mijë euro për këtë shkollë, kurse komuna ka bërë edhe disa investime nga buxheti i saj duke përmirësuar disa punë që investitori nuk ka mund t’i bëjë.
Nga buxheti i komunës me rreth 100 mijë euro janë kryer punimet në trafostacionin elektrik, asfaltimin e rrugës, rregullimin e oborrit të shkollës.
Me këtë rast punëkryesit, kompanisë “Vlora com”, i është dhënë afat në funksionalizimin e kabineteve deri më tre shtator.
Gjithashtu sot kanë vazhduar punimet në rrënimin e shkollës së vjetër që është e vendosur pranë objektit të ri./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!