Takimi Kosovë-Shqipëri: Jemi në pritje të përgjigjes për hapjen e Konsullatës në Bujanoc (video)
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë janë nënshkruar 14 marrëveshje nga ministrat e dy shteteve.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, e ka veçuar marrëveshjen për mbështetje financiare që do t’i bëhet Luginës së Preshevës.
“Në fakt sot është nënshkruar një gamë e gjerë marrëveshjesh. Do të isha ndalur veçanërisht në nënshkrimin e marrëveshjes për mbështetje financiare për Luginën e Preshevës”.
“Kjo marrëveshje hapë rrugën për krijimin e fondit ndërshtetëror për mbështetje financiare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
“Marrëveshja parasheh fillimin e punës teknike e cila do të zhvillohet në dy drejtime: Nga njëra anë do të bëhet vlerësimi i shumës së nevojshme për këtë fond sipas nevojave të Luginës së Preshevës dhe nga ana tjetër do të përcaktohet saktësisht mënyra dhe procedura e ndarjes së mjeteve”.
“Grupi punues do të punojë rreth 6 muaj dhe në momentin që përcaktohet formula e funksionimit, me automatizëm do të ngrihet fondi i dy shteteve për mbështetjen strukturore të shqiptareve të Luginës së Preshevës”.
Cakaj ka shtuar se tash e dy vjet Qeveria e Shqipërisë e ka vendosur praktikën e financimit të rregullt të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
“Për herë të parë kemi përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës në diplomacinë shqiptare të cilët janë përgjegjës për komunikimin me diasporën e Luginës së Preshevës”.
“Jemi në pritje të përgjigjes pozitive për hapjen e Konsullatës në Bujanoc – po i përmend këto për të nënvizuar faktin se tashmë ne kemi një qasje shumë pro-aktive në Luginën e Preshevës në përgjithësi”.
“Ky fond do të jetë i një vlere të jashtëzakonshme për faktin se tani do të kemi një mekanizëm të strukturuar për mbështetjen e projekteve në arsim, fushën e kulturës, në projekte të ndryshme të shoqërisë civile, deri në projekte që propozohen prej komunave në shërbim të transformimit të infrastrukturës lokale atje”.