Lokale
Surdulli: Do të lehtësojmë qarkullimin e lirë drejt Kosovës
Një delegacion nga Komuna e Dardanës me kryetarin e saj Shaip Surdullin, sot ka qëndruar për një vizitë zyrtare në komunën e Bujanocit dhe zhvilloi takim pune me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifin.
Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes dy komunave me qëllim përfitimin e fondeve nga Bashkimi Evropian, po ashtu u bisedua edhe për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave ku është një pengesë për shkak vënies së taksave kufitare.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka thënë se ky takim është një rast i mirë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy komunave.
“Ky është një rast i mirë për thellimin e bashkëpunimit mes dy komunave dhe biseduam se si do të fitojmë fonde nga Bashkimi Evropian, sepse ata janë gati gjithmonë të ndihmojnë komunat ndërkufitare. Gjithashtu biseduam edhe për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve ku kemi pengesë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkak vënies së taksave kufitare”, thotë Arifi.
“Bashkëpunimin do ta kemi edhe në aspektin kulturor dhe arsimit. Ku këto bashkëpunime vetëm se kanë filluar në mes shoqërive kulturoro-artistike të cilat veprojnë në Bujanoc me ato të Dardanës por do të kemi edhe ndonjë vizitë të shkollave fillore por edhe të mesme nga komuna e Bujanocit me atë të Dardanës dhe anasjelltas”, shton Arifi.
“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunën e Bujanocit dhe biseduam që në të ardhmen të përfitojmë për dy komunat nga organizatat ndërkombëtare, sidomos nga Bashkimi Evropian dhe do të bëjmë ndonjë inicim për projekte të përbashkëta që lidh dy komunat dhe njëherit do të bashkëpunojmë edhe në aspektin e arsimit, kulturës, sportit, të komunikimit më të lehtë të qytetarëve të dy komunave”, deklaroi Surdulli.
Ai u zotua se do të mundohet të ndikoj te Qeveria e Kosovës me qellim për lehtësimin e qarkullimit dhe të zvogëlohet pagesa e qytetarëve me rastin e kalimit në kufi.
Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari nga Kosova që i bëhet Bujanocit.
Komuna e Bujanocit dhe ajo e Dardanës njihen si dy komuna më bashkëpunuese, pasi që kjo e fundit i ka dalë në ndihmë shumë herë qytetarëve të malësisë së komunës së Bujnanocit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!