Stankoviq: Nuk jemi të pafuqishëm, por nuk dëshirojmë konflikte
“Deri më 1 maj, do të paraqesim propozimin konkret në mënyrë që të përcaktohet numri i banorëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ekzistojnë barriera ligjore për përsëritjen e regjistrimit dhe për këtë më me shumë gjasa do të kryhet vlerësimi i numrit të banorëve”, ka deklaruar Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në të cilat komuna disa parti politike shqiptare kanë ftuar për t`a bojkotuar regjistrimin e fundit.
Këto komente Stankoviq i ka bërë në një intervistë për gazetën e Beogradit “Vecernje Novosti”, në të cilën, ndër të tjera ka folur edhe për deklaratat, siç i quan gazeta, “ekstremiste”, të disa liderëve shqiptarë të Luginës.
Pas përcaktimit të numrit të banorëve a do t`i bëhet edhe ndarja e re e mjeteve të destinuara për Këshillin Nacional të Shqiptarëve?
Stankoviq: Kur të zgjidhet e gjitha, sigurisht do të vij deri tek rindarja e mjeteve financiare, sepse Këshilli Nacional i Shqiptarëve tani ka më pak të holla se sa do të duhej t’i kishte, për arsye se për ndarjen e të hollave mirren parasysh edhe të dhënat rreth numrit të banorëve”.
A do të mund shteti që vetëm përmes investimeve në atë pjesë të vendit t’i ndal deklaratat ekstremiste të liderëve lokal?
Stankoviq: Deklarata ekstremiste ka pasur dhe do të ketë. Ky është problem i atyrëve të cilët përdorin retorikën, ndërsa për atë pse nuk reagojmë nuk do të thotë se jemi të pafuqishëm, por nuk dëshirojmë konflikte.
A barten tensionet nga marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës edhe në këtë pjesë të Serbisë?
Stankoviq: Në tre muajt e fundit kemi organizuar takime me kryetarët e komunave dhe katër ministrat dhe sekretarët shtetëror në të cilat kanë marrë pjesë 90 ndërmarrës nga kjo zonë. Të gjitha çështjet në këto takime ishin lidhur me problemet lokale. Nuk ka pasur asnjë kushtëzim e as tensione. Para së gjithash, por edhe nga gjendja në terren, konkluzioni është se ngjarjet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ndikojnë në këtë pjesë të Serbisë.
Si do të zgjidhet problemi i informimit të qytetarëve në këto komuna pas paralajmërimit të privatizimit të mediave lokale?
Stankoviq: Të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në këtë hapësirë, duhen të kenë media të cilat do t`i informojnë në gjuhën e tyre, ndërsa prioritet duhet të jenë problemet lokale. Shitja e mediave lokale nuk do të thotë që të punësuarit automatikisht të përjashtohen, ndërsa e gjitha do të rregullohet në marrëveshje me ministrinë kompetente.
Pas 27 vjetëve, së shpejti do të fillojë puna në maternitetin në Preshevë...?
Stankoviq: Presim që materniteti të fillojë të punoj prej 1 majit. Ministria e Shëndetësisë ka miratuar vendimin për punësimin e dy gjinekologëve dhe dhjetë mamive dhe me këtë janë arritur kushtet që të vendoset në funksion objektin i cili është plotësisht i rinovuar. /Titulli.com/