Spastrimi i trojeve etnike shqiptare të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës s'ka të ndalur
Lëvizja Qytetare Vatra me seli në Gjilan, përmes kryetarit të saj Sejdulla Kadriu ka reaguar për gjendjen aktuale, siç thotë ai, në trojet etnike shqiptare të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës ku spastrimi s'ka të ndalur.Sipas Kadriut, ndër shekuj është vërtetuar se politika shqiptare në ecejaket e saj nuk ka qenë e nuk është ende të denjë të bëjnë politikë, e aq më pak kur duhet t`i mbrojnë interesat kombëtare. Për këtë kemi shembuj të shumtë, por tani do të ndalemi me fenomenin më të ri në Kosovën Lindore.
Fjala është për pastrimin etnik të shqiptarëve në vazhdimësi, por që tani ka marrë përmasa shqetësuese, në gjithë komunën e Bujanocit, e më alarmante në Malësinë e kësaj komune, pastaj në Medvegjë e gjithsesi edhe në komunën e Preshevës.
Kadriu ka thënë se për këtë nuk qanë kokën askush e sidomos të thirrurit për këtë punë, përkatësisht politikanët e këtyre komunave. Vërtetë nuk e kuptojmë që, këta njerëz kanë hyrë në politikë për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, apo postet që ua ka dhënë qytetari i konsiderojnë vetëm si vende pune?, ka thënë Kadriu.
“Kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren hapa konkret, nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, kryetarët e Komunave, kryetarët e Kuvendeve Komunale, Këshilli Nacional, partitë e përfaqësuara dhe jo të përfaqësuara në Kuvende Komunale, shoqëria civile, mediat etj., që sot, të fillojnë t’i përdorin të gjitha mekanizmat, të ngrenë zërin më me guxim dhe të alarmojnë Bashkësinë Ndërkombëtare, Ambasadën e SHBA-së dhe Ambasadat tjera, në mënyrë që t’i bëhet presion Serbisë në parandalimin e këtij spastrimi sa të dhimbshëm, aq edhe të turpshëm”, thotë Kadriu, raporton 2lonline.com.
Ai pyet se kush i jep atë të drejtë Serbisë t’ua mohojë njerëzve të shkojnë në tokat e veta, madje t’ua mohojë të drejtën e nënshtetësisë qytetarëve që me shekuj jetojnë në këto toka, që i kanë trashëguar nga të parët e tyre! Që të jetë absurdi edhe më i dhimbshëm, kemi dëgjuar nga politikanët tanë, që thonë: “pak njerëz po jetojnë në Malësi, andaj mos u çuditni pse nuk po ua vazhdojnë dokumentacionet”!! A do koment kjo?!
“Ky diskriminim i pushtetit serb bëhet para syve të politikanëve të Kosovës Lindore dhe më gjerë, edhe pse e dinë se kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, dhe se kjo nuk tolerohet në asnjë shtet, madje është shkelje e kushtetutës së Serbisë. Të drejtën e qytetarëve për dy nënshtetësi askush nuk ka të drejt tua mohojë. Prandaj duhet ndërmarr masa nga organet që janë të thirrura për të parandaluar dhe ngritur zërin në instancat më të larta Evropiane dhe Ndërkombëtare”, thotë Kadriu i Vatrës.
Sipas itj, turpi tjetër, është mos kthimi i Lapidarit në vendin prej nga është vjedhur natën, moslejimin e qarkullimit të automjeteve nga Kosova, e shumë e shumë padrejtësi tjera që bëhen në kurriz të qytetarëve tanë.
kadriu thotë se Lëvizja Qytetare Vatra do të angazhohet, në vazhdimësi, sikurse deri më tani, që këtë spastrim etnik, si dhe mos zhvillimin ekonomik të Kosovës Lindore si dhe problemet tjera jetësore të qytetarë shqiptarë ta sensibilizojë edhe më shumë kudo që është mundur me të gjitha mjetet demokratike.
"Prandaj, ne dhe ju të zgjedhurit nga vota e popullit, të bëjmë presion ndaj organeve përgjegjëse të Serbisë, Avokatit të Popullit në Serbi, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me faktorin ndërkombëtarë, duke mos i përjashtuar edhe opsionet tjera më të avancuara të lejuara në botën demokratike. Posaçërisht nga Ju politikanë të nderuar, qytetarët kërkojnë rezultate nga puna Juaj, jo llafe!”, thotë Sejdulla Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare Vatra./2lonline.com/ Titulli.com/