Sondazh: Papunësia po i largon shqiptarët nga Lugina e Preshevës
Numri i madh i qytetarëve të papunë në komunë të Bujanocit dhe Preshevës, që shënon ndër shifrat më të larta në Serbi, sipas qytetarëve pjesëmarrës në sondazhin e portalit informativ Titulli.com, është faktori kryesor që ndikon në migrimin e popullatës nga ky rajon.Anketa online ka vërtetuar se papunësia po detyron largimin e qytetarëve, kryesisht shqiptarë.
Nga sondazhi i cili qëndroi i hapur dy javë, morën pjesë 1.683 qytetarë, shumica shqiptar, vizitor të portalit informativ Titulli.com.
1.406 apo 83.54% e votuesve si faktorë kryesorë që po ndikon në migrimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës kanë zgjedhur papunësinë, 234 apo 13.9% kanë zgjedhur sigurinë. Vetëm 43 ose 2.55% e votuesve fajet ia lënë infrastrukturës jo të mirë.
Papunësinë e lartë në komunat Bujanoc dhe Preshevë e kanë pranuar edhe udhëheqësit e këtyre komunave të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të investojë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.
Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa ka deklaruar se papunësia në këtë komunë arrin deri në 70 për qind, ndërsa hiç më e mirë nuk është as në Bujanoc.
Për dallim nga kryetari i Preshevës që në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale nuk kishte premtuar një punësim katër shifror, PD e Nagip Arifit në Bujanoc, në programin e saj kishte premtuar punësimin e 2.000 qytetarëve.
Ky premtim që pritej të realizohet brenda këtij mandati katër vjeçar është shumë larg për t’u bërë realitet, kur dihet se ka mbetur edhe një vit afat deri në përmbushje të premtimit të dhënë para qytetarëve.
Kryetari Arifi brenda kësaj kohe ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Odat Ekonomike të rajonit, është takuar me biznesmen dhe ka qëndruar në samite të ndryshme ekonomike, si ky i fundit në Bursa të Turqisë, mirëpo rezultatet në terren për investime të huaja janë të zbehta, për të mos thënë nuk ka fare. /Titulli.com/