Sinani takon Sensein Fazliu, paralajmërohet akademi profesionale e karatesë
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka pritur Bejar Fazliun, mjeshtërin e Karatesë Tradicionale i cili jeton dhe vepron në SHBA.
Në botën e karatesë përgjatë viteve, Bejari njihet si Sensei Fazliu (mjeshter ne japonishte). Si i tillë, sot mban thirrjen 7 Dan në karatenë tradicionale Shotokan, si dhe thirrjen 5 Dan në Tang Su Do, një art marcial korean. Është i licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Karatesë Tradicionale në Los Angjeles të Kalifornisë në SHBA, organizata më kompetente në botën e karatesë sot.
Fazliu ka trajnuar gjenerata të shumta karateistësh në Luginë të Preshevës, Kosovë e vend e tjera të rajonit.
Postimi në Facebook nga Ardita Sinani:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Kabinetin tim Bejar Fazliun, magjistër i shkencave sportive dhe mjeshtër i karatesë nga Rainca.
Bejari është një laureat i fakultetit, i dalluar si student, e më vonë si profesionist, që ka arritur nivelet më të larta të suksesit në karate, duke fituar titullin mjeshtër i karatesë 7 DAN, e i çertifikuar nga Federata Ndërkombëtare e karatesë tradicionale me seli në Los Angeles të SHBA.
E shoqëruar nga drejtori i Qendrës Sportive në Preshevë, Besim Nasufi dhe këshilltari komunal, Muhamet Mustafa diskutuam për iniciativat e reja me qëllim të përmirësimit të cilësisë së sportit në Komunën tonë, më konkretisht për krijimin e një akademie profesionale të karatesë për Luginën e Preshevës.
Përkrahja dhe bashkëpunimi me talentet si Bejari është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për sportin dhe për rininë tonë