Sinani: Serbia e shfrytëzon Shqiprim Arifin për agjenda kundër Kosovës, ai është Rrahman Morina 2.0
Këshilltarja politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani ka kritikuar deklarimet e kryetarit në detyrë të Preshevës, Shqiprim Arifit ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Postimi në Facebook nga Ardita Sinani:
Kryetari në detyrë i Komunës së Preshevës edhe tash kur ka humbur krejtësisht legjitimitetin moral e politik, po vazhdon të jetë senzacion në lajmet e mediave në Beograd.
Është e turpshme kur lajmet në mediat e Serbisë fillojnë me citatin e Shqiprim Arifit për kryeministrin e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër Komuna e Preshevës, në të cilën Sh. Arifi është kryetar në detyrë, është defakto pa udhëheqje.
Po vazhdon të zhvatet çdo ditë me projekte ku punëkryes janë oligarkët e afërt me Arifin.
Është e pafalshme që Serbia ka rigjetur një vegël të ngjashme si Rrahman Morina, që e përdor dhe kontrollon për interesat e veta kundrejt Kosovës.
E ky Rrahman Morina 2.0 këto deklarata i bën çdo ditë për të mbuluar dështimin e tij në pushtetin lokal në Preshevë, por edhe për të defokusuar vëmendjen nga problemet reale.
Pikërisht në kohën kur vetëm Presheva diferencohet nga Vendimi i Qeverisë së Serbisë që të gjithë të punësuarit në periudhën me COVID 19 janë pajisur me vendime të përhershme të punës.
Por Sh. Arifi ka detyra dhe obligime tjera. Për të sulmuar padrejtësitë e Serbisë nuk janë e as kanë qenë në agjendën e tij.
Kohëve të fundit, Arifi ka reaguar kundër disa veprimeve të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Sinani tha se është e turpshme kur lajmet në mediat e Serbisë, fillojnë me citatet e tilla të Arifit ndaj kryeministrit Kurti.
“Është e pafalshme që Serbia ka rigjetur një vegël të ngjashme si Rrahman Morina, që e përdor dhe kontrollon për interesat e veta kundrejt Kosovës” tha ajo duke e krahasuar Arifin me Rrahman Morinën.
Sipas saj, Arifi i bën këto deklarata për të mbuluar dështimin e tij në pushtetin lokal të Preshevës.
“Për të sulmuar padrejtësitë e Serbisë nuk janë e as kanë qenë në agjendën e tij” theksoi ajo