Shkrim nga Amerika: Në rrugën e një tradite të re letrare
Në dhjetor të vitit 2001, një grup i vogël shkrimtarësh, u mblodhën me një mision të madh e të dobishëm: të krijonin të parën Shoqatë shkrimtarësh në Amerikë, që ishte bërë prej vitesh vendi i tyre mikpritës. E pra, nismëtarët e asaj dite duhen kujtuar me nderim. Po më shumë se të tjerët kurorën e nderimit do ta meritonte themeluesi dhe presidenti i parë i Shoqatës, Gjekë Marinaj. Ai ishte në kontakte me një numër të vogël krijuesësh, që e përkrahën dhe i dhanë shtytje formimit të saj. Lajmi mori dhenë. E që nga ajo ditë Shoqata u rrit në numër e në cilësinë e krijimeve. Sado optimist që të ishe, mbase sot nuk do ta besoje se sa shpejt u rrit në pak vite, u forcua, bëri sa e sa aktivitete dhe ja sot ne paraqesim një libër me të gjithë anëtarët e kësaj Shoqate që e kanë lidhur jetën e tyre me Amerikën, me të gjithë ata që në vite, kanë misionin fisnik, përcjelljen e fjalës artistike.
Ky libër, në një farë mënyre, është dhe biografia me bibliografi të secilit anëtar, deri në ditët e sotme, pa pasur ndonjë synim për të dhënë ndonjë vlerësim kritik. Secili prej tyre përfaqësohet me një krijim letrar. Radhitjen e tyre e kemi bërë duke ndjekur kriterin alfabetik.
Gjatë këtyre viteve ka pasur nga ata që nuk angazhohen apo nga ata që për arsye të shumta janë larguar. Ne i kemi përfshirë, sepse i vlerësojmë dhe do t’i vlerësojmë edhe më tutje, si pjesë e këtij historiku. Në këtë përpjekje për një panoramë të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë ka edhe një numër të vogël shkrimtarësh që nuk janë përfshirë, sepse nuk i takojnë grupimit tonë, por dhe ata janë të vlerësuar dhe të mirëpritur në të ardhmen.
Duke i lexuar dhe rilexuar krijimet e këtyre krijuesve të moshave të ndryshme, qoftë ata që jetojnë apo dhe ata që janë të ndarë nga jeta, të emocionon dashuria, me të cilën janë grumbulluar këto krijime. E lexon me vëmendje dhe sheh një etje për shkronjëshqipen këtu në Amerikën e largët, ku ata kanë marrë rrugëtime të reja për një të nesërme që i bën nder të dy kombeve.
Jam me fat që secilin anëtar e njoh personalisht. Jemi takuar, takohemi dhe bashkëpunojmë: me dikë më pak e me dikë më shumë, por të gjithë së bashku jemi pjesë e një emri të përveçëm: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.
Përtej kësaj tradite njerëzore, këtë mision e merr edhe kjo panoramë që do të ketë këtej e tutje një galeri të tërë emrash të nderuar. Mirënjohje edhe për brezin e shkrimtarëve shqiptarë të shekullit të kaluar.
Le të gdhendim me këtë libër e me të tjerë që vijnë më pas, faqe të reja të të shkruarit shqip këtej Atlantikut. Mendoj se kështu afrohen, ndihmohen dhe bashkohen edhe më shumë shkrimtarët. Duke u njohur sa më shumë, dhe duke njohur krijimtarinë e njëri-tjetrit, ne njohim më mirë letërsinë shqipe që po krijohet në Amerikë.
Duke shfletuar librin, formohet bindja se udhëton drejt viseve të bukura të Shqipërisë mëmë e të trojeve amtare. Aty gjen anëtarë nga të gjitha krahinat: nga Shkodra, Elbasani e Gjakova, Saranda, Tropoja e Prishtina, Vlora, Mati e Klina, Peja, Lezha e Struga, Presheva, Bujanoci e Korça, Përmeti, Tepelena e Kërçova, Gjirokastra, Prizreni e Tirana, Fieri e Malësia e Madhe, Himara, Tepelena e Dibra, Plava e Çamëria....por që kanë një atdhe të dytë Amerikën dhe këtë fole të përbashkët krijuesish.
Mbase na duhet edhe sot e kësaj dite të citojmë vargjet e të pavdekshmit, Fan S. Noli: “Mbahu, nëno, mos ki frikë Se ke djemtë në Amerikë!”
Mbase Noli nuk e kishte saktësisht këtë thirrje kaq të vyer për shkrimtarët që shkruanin e që do të shkruanin shqip në Amerikë, për pasardhësit e fjalës së bukur shqipe, për poetët, tregimtarët, romancierët, gazetarët, përkthyesit, po ky dyvargësh-lapidar i përmasave profetike, do të shkonte pak a shumë edhe kësaj përmbledhje.
Mjaft autorë shqiptaro-amerikanë të cilët janë anëtarë kanë nisur edhe botimin në gjuhën angleze të veprave të tyre. Këto e pasurojnë jo vetëm biografinë e tyre letrare, por bëhen edhe pjesë e kulturës ku ata jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre letrar.
“Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” del para lexuesve pas botimit të parë “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Aktivitete dhe krijimtari)” botuar në vitin 2016. Në librin e parë kemi mbuluar të gjitha aktivitetet. Në këtë libër po paraqesim anëtarët e saj. Të dyja, bashkërisht, plotësojnë tërë rrugën që nga themelimi deri në vitet e fundit.
Modestisht, me përgjegjësi, dhe me shumë dashamirësi punova për të kompletuar historikun e lidhjes sonë. Secili anëtar ka një histori në vete dhe të veçantë. Kam gjurmuar gjatë për biografinë dhe njoh veprat e tyre të botuara, pjesë e bibliotekës së Shoqatës. Shumë prej tyre kanë kryer në vite edhe detyrën e gazetarit për organe të ndryshme të shtypit në trojet shqiptare apo edhe në Amerikë.
Qëllimi dhe dëshira ime po realizohet duke i sjellë para lexuesit. Siç stolisin qiellin yjet, ashtu edhe secili anëtar, dikush me më shumë libra e dikush me më pak libra, por që secili prej tyre ka shkëlqimin dhe rëndësinë e vet. Bashkërisht krijojmë dhe e mbajmë të gjallë Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Shkruar nga Adnan Mehmeti, New York, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar-Amerikanë