Shiu merr rrugë, ura e shtylla, ndërpitet komunikacioni Medvegjë-Kapit (foto)
Si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe breshërit disa zona të komunës së Medvegjës sot janë përmbytur. Pjesa më kritike për momentin është lagja e Çokotonëve ku banorët po rrinë në gjendje gatishmërie.
Lumi i Kapitit i cili ka dalur nga shtrati ka vërshuar pothuajse tërë aksin rrugor Medvegjë-Kapit duke shkaktuar dëme të mëdha në rrugë dhe ura.
Fatmirësisht nuk ka pasoja në njerëz por dëmet materiale janë evidente. Ka pirshje në përçuesit elektrikë dhe në rrjetin e ujësjellësit. Në disa shtëpi në këtë lagje uji ka hyrë nëpër shtëpi. Aksi rrugor Medvegjë - Kapit është ndërpritur krejtësisht si pasojë e dëmtimit të asfaltit dhe urës nga betoni. Trafiku në këtë pjesë është i pamundur, raporton MePRESS.
Banorët kanë dalur dhe me forca vetanake po mundohen të shpëtojnë atë çka mund të shpëtohet. Për t'u njoftuar me gjendjen në terren lagjën kanë vizituar përfaqësuesit e komunës së Medvegjës, zjarrfikësit, policia, Kryqi i Kuq.
Brengë më e madhe për banorët tani mbetet shiu që po vazhdon të bie intensivisht. Përveç kësaj pjese, përmbytje ka edhe në fshatin Rujkoc, mëson MePRESS./Titulli.com/
Foto: MePress