Lokale
Serbia po provokon konflikt të gjerë
Me ultimatumin që kreu i lartë shtetëror i Serbisë ua ka dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës për heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, Beogradi po provokon një konflikt të ri në rajon. Kështu të paktën konsiderojnë analistët politikë në Kosovë dhe ata në Luginën e Preshevës.
Madje ish-udhëheqësit e Kosovës të viteve 80-ta, vlerësojnë se Lugina e Preshevës mund të bëhet sërish vatër e re dhe potenciale e krizës. Sipas tyre, Serbia, duke qenë se e ka kuptuar mungesën e konfidencës së Evropës në rajon, sikundër edhe mungesën e guximit e seriozitetit te shqiptarët, ajo e di mirë se mund të veprojë ashtu si i teket.
Ndërkaq, Prishtina zyrtare duket se këtë çështje do ta shtrojë në takimin e radhës në Bruksel më 17 janar, ndërmjet kryeministrit, Hashim Thaçi, dhe atij Serb, Ivica Daçiq. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se kryeministri Thaçi në takimin e radhës në Bruksel do ta kërkojë ruajtjen e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Jam i bindur që kryeministri i Kosovës do ta theksojë se mbështet të drejtat politike dhe demokratike për identitetin kombëtar. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk do të bëhet në kurriz të të drejtave të shqiptarëve atje”, ka thënë Kuçi, sipas të cilit, lapidari në Preshevë paraqet simbolikën e luftëtarëve të lirisë shqiptare.
Duhet të pranojë edhe Daçiqi, sipas Kuçit, se lapidari është edhe simbolikë e demokratizimit të vetë Serbisë, sepse ata njerëz kanë ndihmuar të demokratizohet Serbia. Pavarësisht nëse Daçiqi e ka pasur shef Sllobodan Millosheviqin, sipas Kuçit, me rrëzimin e atij regjimi është demokratizuar vetë Serbia.
Ish-udhëheqësi socialist i Kosovës, Azem Vllasi, ka tërhequr vërejtjen se me tensionim marrëdhëniesh me shqiptarët në Luginë, kreu shtetëror i Serbisë rrezikon me konflikt të gjerë. Sipas tij, Lugina e Preshevës mund të bëhet sërish vatër e re dhe potenciale e krizës.
Analisti nga Lugina e Preshevës, Belgzim Kamberi, ka thënë se me vetë faktin që Daçiq e ka kushtëzuar heqjen e lapidarit me datën e 16 janarit, një ditë para dialogut, më shumë është shantazh ndaj Prishtinës zyrtare, sesa ndaj Luginës, shkruan Zëri.
“Dhe fatkeqësisht po del që krejt kjo çështje e lapidarit po instrumentalizohet në kontekst të bisedimeve Prishtinë – Beograd. Ky është ai konteksti më i gjerë”, ka thënë ai. Sipas tij, lapidare janë ngritur në Preshevë, Bujanoc prej vitit 2001 dhe nuk janë politizuar në këtë masë.
“Tash është vetë Beogradi i cili po e politizon problematikën, tash në anën tjetër edhe Prishtina po flet për reciprocitet kur nuk e ka zbatuar reciprocitetin qe 10 vjet. Por, fatkeqësisht e kam një përshtypje se çështja e lapidarit po politizohet në kontekst të marrëdhënieve reciproke, të interesave reciproke dhe fatkeqësisht unë po frikësohem se ne këtu Preshevë, Bujanoc, të mos bëhemi viktima e këtyre raporteve edhe më të gjëra politike”, ka thënë Kamberi.
Ndërkaq, analisti Avni Zogiani ka thënë se Serbia, duke qenë se e ka kuptuar mungesën e konfidencës së Evropës në rajon, sikundër edhe mungesën e guximit, e seriozitetit te shqiptarët, e di mirë se mund të veprojë ashtu si i teket./Titulli.com/
_____________________________________________________________________________________________
http://youtu.be/hOcdxrmw904
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!