Scholz me kërkesa ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe sanksione ndaj Rusisë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi më 10 qershor se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës. Ai këto deklarata i bëri gjatë një vizite në Prishtinë, pas së cilës vizitoi edhe Beogradi ku porositi se si një vend kandidat për anëtarësim në bllok, Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz porositi se duhet të ketë qëndrim konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
"E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së", tha Scholz.
Në Beograd, ai tha se qëndrimi i Gjermanisë për çështjen e Kosovës është i qartë dhe i njohur prej vitesh dhe shtoi se tani është e nevojshme që “të gjithë në proces të bëjnë përpjekje për të bërë përparim”.
"Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar", tha ai.
Në Prishtinë, lideri gjerman tha në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.
"Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë", shtoi ai.
Kosova insiston që një marrëveshje finale me Serbinë duhet të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
Vuçiq: Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se sot për herë të parë ka dëgjuar në konferencën për media në Prishtinë, që dikush nga Bashkimi Evropian po kërkon që dialogu i Brukselit të rezultojë me njohje reciproke.
“Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke. Ne kurrë më herët nuk kemi dëgjuar nga askush nga Evropa se po kërkohet njohja reciproke. Këtë e dëgjuam sot në konferencën për gazetarë në Prishtinë”, tha Vuçiq.
“Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve që e miratuan atë doktrinë saktësisht tre vjet më parë”, shtoi Vuçiq gjatë konferencës së përbashkët me Scholz.
Vuçiq tha se gjërat po ndryshojnë në përputhje me atë që po ndodh "në disa pjesë të tjera të Evropës".
“Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne po përpiqemi të ruajmë rendin e Kombeve të Bashkuara ose sepse duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi, ne nuk kemi asgjë kundër”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia asnjëherë nuk ka refuzuar apo hequr dorë nga dialogu dhe se është e gatshme të diskutojë zgjidhje kompromisi.
“Mos u zemëroni që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është i ndryshëm nga i juaji. Aq sa ju e doni integritetin territorial të Ukrainës, serbët e duan integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiq.
Serbisë i kërkohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë
Gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, lideri gjerman foli edhe për sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Përderisa e përgëzoi Kosovën që i është bashkuar shteteve perëndimore në ndëshkimin e Moskës, në Serbi kërkoi që Beogradi të harmonizojë politikën me BE-në, sikurse kërkohet nga një shtet kandidat.
"Është e rëndësishme që sa më shumë vende t'i bashkohen sanksioneve, sepse është një instrument që ndihmon Ukrainën. Sanksionet janë shumë efektive, shumë më efektive pas sanksioneve të vendosura pas aneksimit të Krimesë në 2014”, tha Scholz.
“Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë nuk do të zhduket vetëm pas luftës, por është një kusht për përmirësimin e situatës në mënyrë që Rusia të pranojë faktin se nuk mund të diktojë paqen, por duhet të negociojë dhe të bie dakord me Ukrainën për një marrëveshje që do të mbrojë integritetin e Ukrainës”, shtoi lideri gjerman.
BE-ja reagon ndaj vazhdimit të afërsisë mes Serbisë dhe Rusisë
Dokumenti i BE-së: Vuçiq shtyn shkëputjen nga Rusia
Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk i ka vendosur sanksione Moskës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në Programin për Partneritetin për Paqe të NATO-s.
“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sivjet planifikojmë po ashtu që të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim pra në Bashkimin Evropian dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithëve për këtë”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se nuk është kundër që Ukraina – shtet që po përballet me pushtimin e Rusisë – të marrë statusin e shtetit kandidat, por kërkoi që as Ballkani Perëndimor të mos lihet jashtë zgjerimit të BE-së.
“Bashkimi Evropian është fati ynë, Evropa është kontinenti ynë dhe ne duam një Kosovë evropiane, një Ballkan evropian. Pra, një Ballkan evropian pa orientime e formulime të tjera për Ballkanin”, tha ai.
Tregu i përbashkët, prioritet i lartë për Gjermaninë
Scholz tha se Qeveria gjermane e ka vendosur prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian. Kjo tha se do të bëhet përmes Procesit të Berlinit, që Gjermania ka nisur më 2014.
“Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë, në kuadër të Procesit të Berlinit ta rijetësoj atë këtë vit dhe në vjeshtë do të thërras një konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale duhet të lidhen shpejt”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do të sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian.
I pyetur për pozicionin e Gjermanisë për nismën rajonale, “Ballkani i Hapur” dhe sa mund të dëmtojë kjo iniciativë marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, Scholz tha se tregu i përbashkët është një prioritet i lartë për Gjermaninë, një çështje që duhet përmirësuar.
"Të gjithë duan të anëtarësohen në BE dhe aty edhe ashtu ka rregulla të lirisë së lëvizjes. Kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet ta respektojë këtë”, tha lideri gjerman.
DASH mbështet çdo nismë për fuqizimin ekonomik të Ballkanit
Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria bëjnë pjesë në nismën "Ballkani i Hapur". Kosova e kundërshton atë, ndërkaq Mali i Zi dhe përfaqësues të Bosnjë e Hercegovinës, kanë shprehur dëshirën që t'i bashkohen kësaj nisme.
Angazhim për liberalizimin e vizave për Kosovën
Kancelari gjerman foli edhe për hapat që po ndërmerrë që shtetet skeptike të binden, që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.
"Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne".
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor të cilët nuk mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Shengen pa u pajisur me viza.
Vizita në Kosovë dhe Serbi e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, është pjesë e turit të tij në Ballkan.
Pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Scholz të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor./REL/